Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka rikonfirmuar qëllimin për të transferuar emigrantët nga Italia në Shqipëri, duke mos u tërhequr nga plani pavarësisht vendimit të Gjykatës së Romës për të bllokuar përkohësisht nisjen e këtij operacioni. Sipas La Repubblica, operacioni i parashikuar të fillojë të hënën përfshin “ngarkesën e parë të plotë” me emigrantë nga vende të cilësuara si të sigurta, me shpresën që kushtet atmosferike të përmirësohen për të bërë të mundur transportin.
Ky plan ka shkaktuar debate të ashpra në Itali, kryesisht për shkak të kostove të larta të operacionit, të cilat përfshijnë akomodimin luksoz të personelit italian në Shëngjin dhe Gjadër. Kritikat, si dhe shqetësimet për përputhshmërinë e dekretit me rregulloret e Bashkimit Evropian, kanë bërë që projektin ta shoqërojnë akuza për “propagandë politike” nga kundërshtarët e Melonit.
Ndërkohë, është raportuar se Shqipëria ka marrë masa për të pritur deri në 70 emigrantë, një numër shumë më i lartë se tentativa e parë e dështuar që përfshinte vetëm 16 persona. Fokus i këtij transferimi janë kryesisht emigrantët tunizianë, për të cilët janë krijuar marrëveshje riatdhesimi me autoritetet italiane.
La Repubblica raporton gjithashtu se stuhitë e fundit në Mesdhe kanë bërë të pamundur transportet detare, duke penguar nisjen e operacionit dy herë. Sipas parashikimeve, kushtet e motit pritet të përmirësohen, duke lejuar që operacioni të zhvillohet brenda ditëve të ardhshme.
Megjithëse Gjykata Evropiane dhe Gjykata e Bolonjës po shqyrtojnë përputhshmërinë e dekretit me rregulloret e BE-së, një burim pranë Ministrisë së Drejtësisë italiane konfirmon se qeveria mbetet e vendosur të vazhdojë operacionin, duke mos lejuar asnjë vonesë të mëtejshme.