Kryeministri Edi Rama është përfshirë sërish në debatin për pagat e magjistratëve, këtë herë përmes një postimi në rrjetin social X, ku ka komentuar mënyrën se si, sipas tij, një gjyqtar e sheh buxhetin e shtetit dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Rama ka publikuar një deklaratë që, sipas tij, i atribuohet një gjyqtari, duke ngritur pyetjen nëse një anëtar i gjyqësorit mund të shprehet në këtë mënyrë për buxhetin e shtetit.
Në foton e shpërndarë nga kryeministri shkruhet:
“A mund të flasë kështu një gjykatës? Ne kemi qesen tonë të buxhetit. Nuk po marrim nga qeset e të tjerëve. Me pak fjalë, nuk po na lejohet të marrim nga qesja jonë”.
Krahas fotos, Rama ka reaguar duke kritikuar këtë mënyrë të konceptimit të buxhetit dhe të pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
“E pabesueshme, po e vërtetë që një gjykatës e kupton kështu pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe e shikon kështu buxhetin e shtetit shqiptar”, shkruan Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur debati për pagat e magjistratëve është kthyer në një nga çështjet kryesore të përplasjes mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë.
Rama ka kundërshtuar kërkesat për rritje të mëtejshme të pagave, ndërsa nga ana tjetër gjyqtarët kanë ngritur shqetësime lidhur me zbatimin e vendimeve që prekin pagat e tyre.
Debati lidhet jo vetëm me nivelin e pagave të magjistratëve, por edhe me mënyrën se si garantohet pavarësia financiare e sistemit të drejtësisë dhe raporti i tij me buxhetin e shtetit.





