Task Forca e ngritur nga Bashkia e Vlorës ka nisur sot një operacion të gjerë në terren për lirimin e hapësirave publike të zaptuara, pas urdhrit të dhënë pak ditë më parë nga kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në qytetin bregdetar.
Në aksion janë angazhuar strukturat e rendit, policia bashkiake dhe inspektorët, ndërsa në terren ka qenë vetë kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha, i cili ka ndjekur nga afër ndërhyrjet dhe verifikimet.
“Ne kemi ngritur një Task Forcë prej disa ditësh që po bën kontroll të gjithë territorit. Aty ku ka zaptim me gardhe, kangjella apo objekte të tjera, do rikthehen hapësirat publike për qytetarët,” – u shpreh Dredha për mediat.
Dorëheqje dhe pastrim strukturash
Paralelisht me këtë operacion, ka nisur një valë dorëheqjesh në institucionet në varësi të Bashkisë, të cilat kryebashkiaku i konsideroi si të kërkuara prej kohësh.
“Unë e kam kërkuar dorëheqjen e disa drejtorëve që në janar dhe mars, sepse kishte mungesë angazhimi maksimal. Duhet të kemi drejtues të motivuar dhe të përgjegjshëm që ta bëjnë punën me pasion,” tha Dredha.
Ai paralajmëroi gjithashtu një proces vlerësimi të detajuar, duke deklaruar se do të ketë një “skanim të plotë” të performancës së drejtuesve dhe më pas do merren vendimet përfundimtare për emërimet.
Kritikat e Ramës
Ky zhvillim vjen vetëm dy ditë pas një takimi të tensionuar mes kryeministrit Rama dhe drejtuesve vendorë në Vlorë, ku shefi i qeverisë shprehu pakënaqësi të forta për performancën e bashkisë dhe kërkoi shkarkimin e të gjithë drejtorëve të saj.
“Nuk ka justifikime për mosveprim. Drejtuesit që nuk punojnë me përkushtim për qytetarët, nuk kanë vend në administratë,” kishte theksuar Rama në mbledhjen me dyer të mbyllura.
Aksion me sy nga sezoni turistik
Nisma për lirimin e hapësirave publike konsiderohet jetike për menaxhimin e sezonit turistik në një qytet si Vlora, që çdo verë përballet me mbipopullim, trafik dhe mungesë hapësirash për këmbësorët dhe vizitorët.
Sipas burimeve nga bashkia, aksioni do të shtrihet në të gjithë qytetin, me fokus në zonat turistike, bregdetin, trotuaret dhe rrugicat që janë zaptuar në mënyrë të paligjshme.
Deri më tani, dhjetëra barriera, kangjella dhe struktura të improvizuara janë larguar me forcë, ndërkohë që kontrollet do të vazhdojnë përgjatë gjithë muajit korrik.