Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka deklaruar se Britania është “dështuar nga udhëheqja e saj për një kohë të gjatë”, duke reaguar pas dorëheqjes së kryeministrit britanik Keir Starmer.
Vance, i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe Evropës që prej marrjes së detyrës në janar 2025, i bëri këto deklarata në një intervistë për “The Sunday Times”.
Ai tha se, ndonëse e konsideron Britaninë “të mrekullueshme”, vendi sipas tij vuan nga probleme të thella politike.
“Njerëzit me të vërtetë po kërkojnë ndryshime të rëndësishme strukturore”, u shpreh Vance.
“Shpresoj që Andy Burnham – dhe nëse jo Andy Burnham, dikush tjetër – të jetë në gjendje ta sjellë atë. Sepse Britania është një vend kaq i bukur, një vend kaq i mrekullueshëm”, shtoi ai.
Ndërkohë, Keir Starmer do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij nga Partia Laburiste, pas njoftimit për dorëheqje muajin e kaluar, në një periudhë të shënuar nga presioni politik dhe rezultatet e dobëta në zgjedhjet lokale.
Sipas raportimeve, ai pritet të zëvendësohet nga deputeti Andy Burnham, ish-kryetar i bashkisë së Greater Manchester, i cili ka fituar një vend në Makerfield në zgjedhjet e pjesshme të qershorit. Nëse konfirmohet, Burnham do të bëhej kryeministri i shtatë britanik në një dekadë.
Presidenti amerikan Donald Trump gjithashtu ka kritikuar Starmer, duke e akuzuar për dështime në politikat e imigracionit dhe energjisë.
“Ai dështoi keq në dy tema shumë të rëndësishme – imigracionin dhe energjinë”, deklaroi Trump.





