Gjykata e Fierit ka lënë në burg Bledar Bakajn, 52-vjeçarin i cili akuzohet se ka goditur me drapër 67-vjeçarin Enver Gremaj në fshatin Suk të Roskovecit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 të së dielës, kur 52-vjeçari dyshohet se ka shkuar në banesën e 67-vjeçarit dhe e ka goditur me drapër në këmbë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Sipas të dhënave të autoriteteve, konflikti dyshohet se ka nisur pas shkeljes së një urdhri mbrojtjeje, të vendosur nga gjykata në favor të ish-bashkëjetueses së Bakajt.
52-vjeçari dyshohet se ka shkuar në banesën ku ndodhej 34-vjeçarja dhe më pas ka nisur konflikti, që përfundoi me plagosjen e 67-vjeçarit.
Gjatë marrjes në pyetje në Komisariatin e Fierit, Bakaj ka mohuar akuzat ndaj tij. Ai ka deklaruar se do të japë versionin e tij para gjykatës.
Ndaj 52-vjeçarit rëndojnë akuzat për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, si dhe për veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës.
Me vendimin e sotëm, Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Bledar Bakajn, ndërsa hetimet për rrethanat e ngjarjes vijojnë.





