Pas aktgjykimit ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, djali i tij, Altin Krasniqi, ka reaguar përmes një mesazhi prekës, duke shprehur dhimbjen e tij dhe të familjes pas gjashtë vitesh pritjeje.
“Njeriu është më i fortë se guri. Çka s’mund ta mbajë guri, e mban njeriu”, ka shkruar Krasniqi, duke cituar fjalët e të atit.
Ai ka deklaruar se, pavarësisht padrejtësive që, sipas tij, i janë bërë babait të tij, Jakup Krasniqi ka qëndruar gjithmonë me kokën lart.
“Jeta ka qenë e padrejtë me ty, por ti prapë qëndrove me kokën lart. Gjashtë vjet pritje, gjashtë vjet dhimbje, e asnjëherë nuk ta pamë kokën të ulur”, ka shkruar ai.
Altin Krasniqi ka theksuar se aktgjykimi me 25 vite burgim nuk e ka thyer të atin, por ka ndikuar rëndë te familja dhe te besimi i tyre në drejtësi.
“Pas këtij aktgjykimi, nuk u theve ti. U thye diçka brenda nesh. U thye besimi ynë në drejtësi”, ka deklaruar ai.
Deputeti i PDK-së ka shtuar se familja do të vazhdojë të qëndrojë e fortë, ashtu siç, sipas tij, i ka mësuar i ati.
“Por ne do të vazhdojmë të qëndrojmë. Ashtu siç na ke mësuar ti. Me dhimbje në zemër, por me kokën lart. Me kokën lart, babë. Gjithmonë”.
Jakup Krasniqi u dënua me 25 vite burgim nga Gjykata Speciale në Hagë, në aktgjykimin e shkallës së parë ndaj tij dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.





