Një ngjarje e rëndë është zbuluar në Tiranë, ku një 12-vjeçare dyshohet se është abuzuar seksualisht nga një i afërm i saj dhe tezja.
Policia ka arrestuar një 29-vjeçar dhe një grua 32-vjeçare, të cilët akuzohen për veprat penale “Marrëdhënie seksuale me të mitur”, “Incest” dhe “Pornografi”.
Sipas të dhënave të bëra publike, rasti është zbuluar nga autoritetet e shkollës, pasi në telefonin e të miturës janë gjetur video dhe foto intime. Nga materialet e zbuluara dyshohet se vajza ishte detyruar të kryente akte seksuale me kushëririn dhe tezen e saj.
Pas konstatimit të rastit, policia ka njoftuar prindërit e të miturës dhe një psikologe. Më pas, autoritetet kanë marrë edhe dëshminë e 12-vjeçares, e cila ka rrëfyer ngjarjen.
Në vijim të hetimeve, policia ka arrestuar 29-vjeçarin, djalin e hallës së vajzës, si dhe 32-vjeçaren, tezen e saj.
Ndaj dy të arrestuarve rëndojnë akuzat për “Marrëdhënie seksuale me të mitur”, “Incest” dhe “Pornografi”.
Ndërkohë, e mitura po merr asistencë psikologjike për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike pas ngjarjes.





