Poetja Mimoza Ahmeti është shpallur fituese e edicionit të tretë të Ferma VIP, duke triumfuar në finalen e madhe përballë Ilir Shaqiri.
Pas një rrugëtimi që nisi që në ditën e parë të spektaklit, Ahmeti arriti të fitojë mbështetjen e publikut dhe të rrëmbejë çmimin e madh prej 129 mijë eurosh.
Mbrëmja finale nisi me eliminimin e Bujar Bujaka përmes televotimit të hapur që prej së enjtes. Më pas, katër finalistët e mbetur u përballën me një sfidë vendimtare, e cila u fitua nga Ilir Shaqiri, duke siguruar automatikisht vendin në duelin final.
Ndërkohë, Mimoza Ahmeti, Vis Pupa dhe Soni Malaj kaluan në një televotim tjetër, nga i cili poetja siguroi biletën për në finalen e madhe.
Në përballjen përfundimtare mes Ahmetit dhe Shaqirit, publiku vendosi që fituesja e këtij edicioni të ishte Mimoza Ahmeti.
Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, ajo falënderoi publikun për mbështetjen e dhënë gjatë gjithë garës.
“Falenderoj produksionin, por pa publikun nuk do isha këtu. Nga ana tjetër, bashkëjetova për disa muaj dhe pa raportet e gjithësecilëve nuk do kisha bërë ato zbulime që bëra”, u shpreh Ahmeti.
Në renditjen finale, vendi i katërt iu takoi këngëtares Soni Malaj, ndërsa vendin e tretë e zuri Vis Pupa.
Kështu, pas muajsh konkurrence, debatesh dhe sfidash, Mimoza Ahmeti mbyll me sukses aventurën e saj në “Ferma VIP 3”, duke u kurorëzuar fituesja e këtij edicioni.





