30.4 C
Tiranë
Sunday, July 26, 2026

“Flamingot”, “sorrat” dhe algoritmi/ BIRN identifikon dhjetëra profile të rreme që shpërndanë fjalimin e Ramës: Akuza për propagandë online

Dhjetëra profile të rreme në rrjetet sociale kanë shpërndarë menjëherë fjalimin e kryeministrit Edi Rama mbajtur të premten para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ndërsa ai fliste për protestën mbi 55-ditore dhe akuzonte ndikimet e huaja dhe algoritmet e rrjeteve sociale për nxitjen e saj.

Sipas një raportimi të BIRN, janë identifikuar mbi 25 profile të dyshuara si të rreme që kanë shpërndarë fjalimin e kryeministrit, krahas deputetëve të Partisë Socialiste, kryetarëve të bashkive dhe punonjësve të administratës qendrore e lokale.

Gjatë fjalimit të tij, Rama i ndau protestuesit në “flamingo” dhe “sorra”, duke këmbëngulur se protesta ishte ndikuar nga faktorë të jashtëm përmes rrjeteve sociale.

“Flamingoja dha simbolin magjepsës, hija e vjehrrit më të famshëm në botë dha magnetin global dhe algoritmi i yshtur dhe nga ustallarë të ndërhyrjes në punët e vendeve të tjera bëri pjesën tjetër”, tha Rama.

Kryeministri pretendoi gjithashtu se një numër i madh profilesh false ishin përdorur për të ndikuar në debatin publik online, duke deklaruar se autoritetet i kishin identifikuar ato.

BIRN: Profile të rreme edhe në mbështetje të qeverisë

Sipas BIRN, ndërsa Rama ka kritikuar vazhdimisht përdorimin e profileve false nga kundërshtarët e tij, hetimi i këtij institucioni ka identifikuar gjithashtu qindra profile të dyshuara si të rreme që mbështesin qeverinë.

Raportimi thotë se mbi 100 profile në Facebook dhe Instagram janë krijuar gjatë fundit të qershorit dhe muajit korrik, duke shpërndarë përmbajtje në mbështetje të kryeministrit dhe ministrave të kabinetit, si dhe duke sulmuar mbështetësit e protestës.

Sipas BIRN, një pjesë e këtyre profileve janë identifikuar përmes monitorimit të postimeve të Ramës në Facebook dhe llogarive që i kanë shpërndarë ato.

Disa prej profileve përdorin emra që lidhen me qytete apo slogane politike, si “Edi Rama për Shqipërinë 2030”, “Kolonja sot 2030” apo “Bulqiza e së Ardhmes 2030”.

Raportimi përmend gjithashtu pseudonime si “Shigjeta e zezë”, “Bulqiza që ecën” dhe “Flamingot Durrës”, duke pretenduar se këto llogari kanë shpërndarë përmbajtje të ngjashme propagandistike.

Rama prezantoi dokumentin “Besa”

Në të njëjtin fjalim, kryeministri Edi Rama prezantoi dokumentin strategjik të quajtur “Besa”, të cilin e cilësoi si metodën për zbatimin e ciklit të ri politik të quajtur “Rilindja 2.0”.

Rama tha se dokumenti synon një ndryshim në mënyrën e funksionimit të mazhorancës, në mënyrë që qytetarët të mos ndihen të padëgjuar apo të papërfillur.

“E kam titulluar me një emër shumë të vjetër dhe shumë të madh, ‘Besa’. E di që ky emër do hapë debat, por e zgjodha edhe pse ha debat. Asnjë fjalë tjetër s’gjeta që ta thotë më qartë çfarë kthese i duhet mandatit të katërt, që njerëzit të mos ndihen të padëgjuar, të painformuar, të papërfillur”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se bashkë me dokumentin strategjik kishte hartuar edhe një aneks për mënyrën se si Partia Socialiste duhet të mbështesë këtë ndryshim.

“Nuk kemi luftë me flamingot”

Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se nuk e konsideron protestën si një përballje mes qeverisë dhe qytetarëve.

“Ne s’kemi asnjë luftë për të bërë me flamingot, por kemi vetëm një aleancë për të ndërtuar me shumë durim me ta”, tha kryeministri.

Sipas tij, beteja nuk është mes qeverisë dhe qytetarëve që kërkojnë më shumë, por mes dy mënyrave të ndryshme të konceptimit të vendit.

Ai iu referua edhe protestës pranë Parlamentit, ku përdori termin “sorra” për një grup protestuesish.

“I patë edhe dje të grupuar si një grup i vogël sorrash te Parlamenti. Flamingot do të kthehen, Rilindja 2.0 është emri që i vumë ciklit të ri politik, ‘Besa’ është metoda për ta kthyer atë cikël në një përvojë të re për qytetarët”, u shpreh Rama.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Aksident me autobus në Stamboll, mbi 30 të plagosur mes tyre edhe fëmijë

0
Një aksident rrugor ka shkaktuar dhjetëra të plagosur në Stamboll, ku një autobus është përfshirë në një përplasje të rëndë gjatë orëve të fundit. Sipas...

El Niño përshpejton rritjen e temperaturave globale, 2026 mund të jetë ndër vitet më...

0
Ndërsa viti 2026 ka hyrë në gjysmën e dytë të tij, bota po përballet me një nga zhvillimet më të shpejta të fenomenit klimatik...

BQE zbulon kartëmonedhat e reja euro, qytetarët do të votojnë dizajnin që do të...

0
Banka Qendrore Europiane ka prezantuar modelet e reja të kartëmonedhave euro, të cilat do të jenë të parat që do të ridizenjohen që prej...

Vdekja e shqiptarit Xhevdet Bakushi në aksidentin tragjik në Itali, urdhërohet autopsia për zbardhjen...

0
Autoritetet italiane kanë urdhëruar kryerjen e autopsisë për të zbardhur rrethanat e aksidentit tragjik ku humbën jetën shqiptari Xhevdet Bakushi, 42 vjeç, dhe italiani...

I kërkuar nga Interpol Roma për trafik droge, arrestohet në Kavajë 26-vjeçari shqiptar, pritet...

0
Një 26-vjeçar është arrestuar në Kavajë pas një operacioni të përbashkët mes strukturave të Policisë së Durrësit dhe Kavajës, pasi ishte shpallur në kërkim...