Autorja dhe moderatorja e emisionit “Top Story”, Grida Duma, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partia Socialiste e Shqipërisë, duke i cilësuar debatet e brendshme si të inskenuara dhe pa ndikim real në strukturat e pushtetit.
Gjatë një interviste televizive, Duma u ndal te kritikat e shprehura nga Elisa Spiropali, për të cilat u shpreh se nuk reflektojnë një përplasje të vërtetë ideologjike brenda socialistëve.
“S’po ndodh asgjë në PS, përveç asaj që Edi Rama do që ne të besojmë se po ndodh. Nuk ka ndodhi reale, sepse gjithçka nis dhe mbaron me pushtetin që ke në dorë”, deklaroi ajo, duke shtuar se rasti i Spiropalit është i shkëputur nga strukturat reale të vendimmarrjes.
Sipas Dumës, brenda PS nuk ka përplasje parimore, por intriga mes grupeve të fuqizuara gjatë viteve në pushtet, të cilat synojnë më shumë akses dhe ndikim pranë kryeministrit. “Janë grupe të krijuara brenda 13 viteve pushtet, që konkurrojnë për afërsi me Ramën, por pa e vënë atë asnjëherë në pikëpyetje”, theksoi ajo.
Ajo i cilësoi këto zhvillime si një “teatër politik”, që sipas saj u serviret qytetarëve për të krijuar perceptimin e ndryshimit, ndërkohë që në thelb situata mbetet e pandryshuar.
E pyetur për qëndrimet e deputetit Erion Braçe, Duma u shpreh se ai ka ndërtuar një profil të veçantë politik, por duke respektuar kufijtë e vendosur nga lidershipi. “Braçe e di shumë mirë vijën e kuqe. Rama e lejon të ekzistojë dhe e përdor si një lloj alibie për të treguar se ka hapësirë për mendime ndryshe”, u shpreh ajo.
Në përfundim, Duma ngriti shqetësimin për mungesën e kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm ndaj pushtetit, duke theksuar se balancat politike në vend mbeten të brishta.






