41-vjeçari Agim Xhixha, i dënuar me 6 vite burgim për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, është arrestuar nga Policia e Krujës në kuadër të operacionit të koduar “Larushku”.
Sipas Policisë, Xhixha, banues në Larushk të Sipërm, Fushë-Krujë, ishte shpallur në kërkim pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Operacioni u finalizua nga shërbimet e Stacionit të Policisë Fushë-Krujë, pas administrimit të informacioneve mbi vendndodhjen e 41-vjeçarit.
Gjatë operacionit, Agim Xhixha u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga.
Sipas vendimit të gjykatës, 41-vjeçari është dënuar me 6 vite burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.
“Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara gjatë punës operative, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, shërbimet e Stacionit të Policisë Fushë Krujë finalizuan operacionin e koduar ‘Larushku’”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.





