Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar sot lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur në Athinë, ku humbën jetën gjashtë persona, mes tyre edhe tre me origjinë shqiptare.
“Jemi thellësisht të pikëlluar nga humbja tragjike e jetëve pas shpërthimit dhe shembjes së ndërtesës në Athinë, ku raportohet se mes viktimave ka edhe tre persona me origjinë shqiptare”, thuhet në deklaratën e MEPJ-së.
Ministria shpreh ngushëllimet për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa thekson se është pranë tyre në këtë moment dhimbjeje.
“Jemi pranë tyre në këtë dhimbje dhe u urojmë të plagosurve shërim të shpejtë e të plotë”, thuhet më tej në deklaratë.
“Kjo tragjedi e prek thellë Shqipërinë. Ne e ndajmë dhimbjen me familjet e prekura dhe shprehim solidaritetin tonë me fqinjët tanë grekë dhe me popullin amerikan”, vijon deklarata.
Gjashtë viktimat e shpërthimit
Nga shpërthimi dhe shembja e ndërtesës humbën jetën gjashtë persona. Tre prej tyre ishin me origjinë shqiptare: Florin Hoxha, motra e tij Florida Hoxha dhe Eris Cani, bashkëshortja e Florin Hoxhës.
Në mesin e viktimave ishte edhe Ian Alexander Kirpatrick, shtetas amerikan dhe bashkëshorti i Florida Hoxhës.
Gjithashtu, nga ngjarja humbën jetën Edmond Hings dhe Athina Papapresku, të cilët ishin pronarët e ndërtesës.





