Fier – Denis Bajri, i njohur edhe me aliasin Brajovic, ka akuzuar kundërshtarin e tij të shumëkërkuar, Ibrahim Lici, se ka urdhëruar sulmin ndaj tij brenda qelisë së burgut të Fierit.
Gjatë dëshmisë së dhënë para hetuesve, Bajri, i cili u sulmua me një thikë artizanale brenda ambienteve të burgut, ka pretenduar se Jurgen Zotaj e ka sulmuar me porosi të Licit.
Sipas dëshmisë së tij, ngjarja ka nisur pasi Aldo Gjini ka kërkuar ta takojë dhe ka shkuar në qelinë e Bajrit së bashku me Jurgen Zoton.
“Aldo Gjini kërkoi të më takonte. Ai erdhi në qelinë time bashkë me Jurgen Zoton. Ky i fundit më dha një telefon. Në linjë ishte Ibrahim Lici. Ai më tha jeta jote kaq e pat! Në atë moment Zoto tentoi të më sulmonte me thikë”, ka deklaruar ndër të tjera Denis Bajri para hetuesve.
Gjatë përleshjes, si Bajri ashtu edhe Zoto mbetën të plagosur dhe u transportuan për të marrë ndihmë mjekësore.
Pas ngjarjes, Komisioni i Disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve vendosi përjashtimin e 8 efektivëve të policisë, ndërsa çështja u referua në Prokurori për shpërdorim detyre.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Burgje po vijon hetimet për të përcaktuar përgjegjësinë e punonjësve të policisë, të cilët dyshohet se kanë lejuar lëvizjen e të dënuarve dhe të paraburgosurve nga njëra godinë në tjetrën.
Në hetim është edhe fakti se personat e përfshirë kishin një telefon në qeli, një send rreptësisht i ndaluar në ambientet e burgimit.
Ndërkohë, Komisioni i Disiplinës ka urdhëruar masën e izolimit për 3 muaj për Aldo Gjinin dhe Jurgen Zotajn.
Pas ngjarjes, Aldo Gjini u transferua në burgun e Drenovës, ndërsa Jurgen Zoto në burgun e Burrelit.





