Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, deklaroi se procesi i zgjedhjeve për drejtuesit lokalë të PS do të përfundojë më 12 qershor, datë që përkon edhe me 35-vjetorin e themelimit të partisë.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së PS, Klosi bëri të ditur se më 21 mars do të mblidhet Asambleja Kombëtare, ku do të diskutohet një program i detajuar zgjedhor dhe përfshirja e të gjithë anëtarëve të partisë në procesin organizativ.
Sipas tij, procesi zgjedhor do të nisë me zgjedhjen e kryetarëve të organizatave dhe strukturave lokale, një procedurë që zhvillohet çdo dy vjet dhe synon forcimin e organizimit të partisë në të gjithë vendin. Ai shtoi se diskutimet në Asamblenë e 21 marsit do të hapin rrugë edhe për anëtarësime të reja në PS.
Klosi theksoi se procesi do të përfshijë të gjitha forumet e partisë dhe do të shtrihet në çdo qelizë të saj në Shqipëri, ndërsa për herë të parë do të ketë një dimension më të gjerë edhe në diasporë.
Sipas tij, do të krijohen struktura të Partisë Socialiste edhe jashtë vendit, veçanërisht në shtetet ku PS ka marrë më shumë vota nga shqiptarët që jetojnë jashtë. Klosi nënvizoi se vota e diasporës në zgjedhjet e fundit ishte një faktor i rëndësishëm për suksesin e partisë dhe kërkon një organizim të qëndrueshëm të strukturave në këto vende.






