9.5 C
Tiranë
Saturday, November 23, 2024
spot_img

Komiteti i Përbashkët Konsultativ/ Rama:” Anëtarësimi duhet të bazohet tek merita dhe metodologjia e saktë”

Brukseli po krijon një Komitet të Përbashkët Konsultativ, një organ i ri që do të monitorojë dhe ofrojë këshilla për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera kandidate në Bashkimin Europian. Ky projekt pilot, i financuar nga Komisioni Europian, do të jetë nën drejtimin e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian (EESC) dhe do të përfshijë organizata të shoqërisë civile nga vendet kandidate.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ndodhet në Bruksel për të marrë pjesë në një konferencë të përbashkët me Presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Ropke, theksoi rëndësinë e kësaj nisme për fuqizimin e bashkëpunimit me BE dhe për integrimin në union. Sipas Ramës, është e domosdoshme që procesi i integrimit të përfshijë gjithë qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile, jo vetëm qeverinë.

Ky Komitet i Përbashkët Konsultativ është një provë e angazhimit tonë dhe e besimit që kemi në procesin e integrimit. Integrimi nuk është vetëm një detyrë qeveritare, por përfshin gjithë shoqërinë civile,” tha Rama. Ai gjithashtu falënderoi Ropke dhe ekipin e tij për mbështetjen, duke vënë theksin në rëndësinë e informimit të qytetarëve për procesin e integrimit.

Kryeministri Rama shtoi se për të çuar përpara procesin e integrimit, është e rëndësishme që Shqipëria të integrohet në institucionet e BE-së, jo për përfitime financiare, por për të fituar ekspertizë. Ai theksoi nevojën që Shqipëria të ketë një ekip në Parlamentin Europian për t’u përgatitur për fazën kur vendi të ketë eurodeputetët e vet.

Po avokojmë që të jemi të pranishëm në Parlamentin Europian, jo me të drejtë vote, por me ekipet tona që do të përgatiten për fazën e ardhshme,” tha Rama.

Ndërkohë, Oliver Ropke shprehu mbështetjen e tij për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke nënvizuar se anëtarësimi duhet të bazohet mbi meritën. “Jemi të përkushtuar për të vazhduar këtë projekt dhe nuk mund të zhgënjejmë vendet e Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi duhet të bazohet tek merita dhe metodologjia e saktë,” tha Ropke.

Ky komitet pritet të luajë një rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen dhe këshillimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, duke përfshirë jo vetëm qeverinë, por edhe organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët në tërësi.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT