Ministri Faton Peci ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve të intensifikuara në tregun e produkteve të qumështit janë konstatuar raste të mospërputhjes mes asaj që deklarohet në etiketë dhe përbërjes reale të produkteve.
Sipas Mujës, vetëm gjatë javës së parë të kontrolleve janë marrë 118 mostra në kufi dhe 52 mostra në tregun vendor, ndërsa analizat laboratorike kanë zbuluar se disa produkte që paraqiteshin si me bazë qumështi, në fakt kishin përbërje tjetër.
“Ani pse produktet mund të paraqiten si me përbërje qumështi, pas analizave ato rezultojnë që kanë përbërje tjetër”, deklaroi ai.
Ministri tha se një pjesë e ngarkesave të importuara janë ndaluar përkohësisht në kufi, ndërsa disa të tjera janë kthyer mbrapsht për shkak të mosrespektimit të standardeve dhe legjislacionit në fuqi.
Ai theksoi se masat e reja synojnë garantimin e sigurisë ushqimore dhe rritjen e transparencës për qytetarët.
“Konsumatori ka të drejtë me ditë çka po blen dhe çka po han”, u shpreh Muja.
Sipas tij, Qeveria pritet të miratojë dy vendime të reja për sektorin e qumështit. Njëri prej tyre do të përcaktojë klasifikim më të saktë të produkteve të qumështit, ndërsa tjetri do të krijojë një sistem të ndarë prodhimi për produktet që përmbajnë qumësht pluhur dhe vaj palme.
Muja paralajmëroi gjithashtu se emërtimet tradicionale si “qumësht”, “djathë”, “gjizë” apo “krem” do të lejohen vetëm për produktet që kanë përbërje nga yndyrat shtazore.
“Në momentin kur shtohen përbërës të tjerë, nuk vlejnë më këto emërtime tradicionale”, tha ai.






