Policia Rrugore e Beratit ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut, duke përdorur dronë, radarë dhe automjete inteligjente me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në trafik.
Gjatë monitorimeve të fundit, efektivët kanë evidentuar një sërë shkeljesh të Kodit Rrugor, ndërsa 4 drejtues mjetesh janë proceduar penalisht. Dy prej tyre janë arrestuar pasi janë konstatuar duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit, ndërsa dy të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për drejtim automjeti pa leje drejtimi.
Kontrollet kanë sjellë edhe vendosjen e masave administrative për qindra drejtues mjetesh. Policia ka ndëshkuar 254 shoferë për ndalim apo parkim në kundërshtim me sinjalistikën, 158 për parakalime të gabuara dhe 140 për tejkalim të shpejtësisë së lejuar.
Gjithashtu, 80 drejtues motomjetesh janë penalizuar për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 94 drejtues për mungesë të rripit të sigurimit, 5 për drejtim nën efektin e alkoolit, ndërsa 246 të tjerë për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjithë qarkun me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës.





