Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e kësaj të premteje fshatin Vidhisht, në Roskovec, ku një 35-vjeçar dyshohet se ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij dhe ka plagosur ish-vjehrrën.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00. Refit Buzi, 35 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu ndaj Kosta Plakës, 58 vjeç, i cili ka humbur jetën në vendngjarje.
Nga të shtënat ka mbetur e plagosur edhe Belere Plaka, rreth 55 vjeçe, e cila është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas krimit, autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja me automjet, duke marrë me vete edhe armën e gjahut. Sipas të dhënave paraprake, ai është larguar së bashku me ish-bashkëshorten e tij.
Policia ka ngritur pika kontrolli dhe ka nisur kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e 35-vjeçarit.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë.





