Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, u shfaq i zhgënjyer pas humbjes 0-1 ndaj Izraelit në ndeshjen e tij të parë në drejtimin e kuqezinjve, por theksoi se skuadra tregoi edhe elemente pozitive gjatë lojës.
Tekniku italian pranoi se kishte pritur një fillim më të mirë në pankinën e Shqipërisë, megjithatë vlerësoi disa momente të paraqitjes së ekipit.
“Më vjen keq që ndeshja përfundoi në këtë mënyrë, pasi doja një rezultat tjetër në ndeshjen time të parë. Kemi alternuar momente të mira dhe të këqija, por në disa faza të lojës krijuam situata që mund t’i shfrytëzonim më mirë”, deklaroi Maran.
Duke analizuar lojën dhe zgjedhjet taktike, ai shpjegoi vendosjet në fushë të disa lojtarëve kryesorë.
“Menduam që lojtarët të alternonin pozicionet dhe të mbështesnin sulmuesin e qendrës. Hysaj kishte detyrën të ndihmonte në ndërtimin e lojës nga prapa. Izraeli është një skuadër teknike që të vë në vështirësi me presingun dhe posedimin e topit, ndërsa ne humbëm ekuilibrin në pjesën e dytë”, u shpreh ai.
Maran pranoi se skuadra është ende në fazë ndërtimi dhe se kërkohet kohë për përmirësime.
“Kam vetëm pak ditë që punoj me ekipin dhe nuk është e lehtë të mendosh menjëherë për ndeshjen e ardhshme pas një humbjeje. Duhet të analizojmë atë që nuk shkoi mirë dhe të përforcojmë aspektet ku kemi nevojë për përmirësim”, tha trajneri.
Ai vlerësoi edhe sulmuesin Armando Broja, duke e cilësuar si një pikë kyçe të repartit ofensiv.
“Broja është një lojtar kyç për skuadrën dhe për futbollistët e krahut. Ai lëviz shumë në fushë për shkak të karakteristikave të tij, por një sulmues qendre ka nevojë të furnizohet me topa dhe sot nuk pati shumë mundësi”, shtoi Maran.
Në fund, trajneri falënderoi tifozët për mbështetjen dhe premtoi analizë të detajuar për ndeshjen.
“E kam ndjerë mikpritjen e shqiptarëve dhe më vjen keq që nuk arrita ta shpërblej me një rezultat pozitiv. Megjithatë, kjo ndeshje na dha indikacione të vlefshme për të vazhduar punën”, përfundoi ai.





