Aktorja Marjana Kondi ka folur për herë të parë për marrëdhënien me babain e saj biologjik. Gjatë një interviste, aktorja ka rrëfyer se babain e saj e ka takuar pas 47 vitesh pasi u divorcua nga e ëma.
’Siç duket prandaj e kam dashur shumë vjehrrin në fakt atij i kam thënë për herë të parë dhe të fundit babi dhe ai asnjëherë nuk më thërriste nuse, por më thoshte moj bijë, qenke bërë e bukur shumë, thoshte s’na bën kush një kafe në mëngjes, e kishte për mua sepse unë nuk ia bëja kafen dhe shkonte e bënte vetë dhe ma sillte dhe mua. Ai ka qenë i shkëlqyer. Përsa i përket babait tim, çdokush ka këto ngjarjet që na ndodhin në jetë dhe janë mëse normale, se po të ishin të gjithë të bukura nuk do kishte kuptim jeta.
Unë e kam takuar pas shumë vitesh dhe fytyra e tij ishte çuditërisht ashtu siç unë e imagjinoja kur isha 3 vjeç. Nuk e kisha parë nga mosha 3 vjeç deri 50 dhe kur erdhi momenti që unë do shkoja ta shikoja, ishte po ashtu siç unë e imagjinoja. Ai ka qenë aviator, kishte mbaruar shkollën në Bashkimin Sovjetik edhe ai ka qenë shumë i mirë ose ishte shumë i mirë, apo ka qenë, si i thuhet, nuk e di ka qenë i mirë, ka qenë babai im. Nuk është më, ka vdekur, por i kam bërë një gjë shumë të bukur, një dokumentar si aviator i parë që ka qenë dhe e kam bërë me Televizionin Shqiptar dhe është një kujtim goxha i bukur. Më ka thënë që kam bërë shumë fluturime, por më vjen keq që nuk i kam bërë me ty’’, tha aktorja.