28.5 C
Tiranë
Tuesday, August 25, 2026

“Mos na lini pa bukë, lopët nuk janë çezme”/ Fermerët e qumështit protestojnë para Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë, kërkojnë zgjidhje urgjente

Fermerët kosovarë të prodhimit të qumështit kanë protestuar para Ministrisë së Bujqësisë, duke shprehur shqetësimin për gjendjen në sektor dhe ndërprerjen e përkohshme të grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat.

Me pankarta ku shkruhej “Mos na leni pa bukë”, “Mos prekni vendet e punës”, “Mos e dobësoni industrinë vendore”, fermerët kërkuan që institucionet të ndërhyjnë menjëherë për të rikthyer grumbullimin e qumështit, pasi prej katër ditësh kjo procedurë ishte ndaluar, duke sjellë edhe mbylljen e përkohshme të qumështores “Vita”.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Qumështarëve, Fidan Krasniqi, tha se fermerët prej një viti kanë paralajmëruar institucionet për problemet në këtë sektor dhe kanë kërkuar masa konkrete.

“Jemi mbledhur para Ministrisë së Bujqësisë ne si shoqatë e prodhuesve të qumështit në përkrahje të fermerëve tanë, anëtarësisë sonë, pikave grumbulluese dhe të gjithë akterëve, sepse ne jemi prodhues të këtij vendi dhe prodhojmë qumështin për këtë vend, për këtë popullatë,” u shpreh Krasniqi.

Ai akuzoi politikat aktuale për favorizim të importeve nga vendet e rajonit, duke kërkuar konkurrencë të barabartë për prodhuesit vendorë.

“Tash e një vit trokasim nëpër dyert e shtetit duke njoftuar ministritë përkatëse lidhur me gjendjen e krijuar në këtë sektor dhe duke kërkuar masa që garantojnë investime dhe siguri të produkteve tona, që të kemi konkurrencë të barabartë dhe jo importe me çmime të subvencionuara nga Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe gjithë rajoni,” deklaroi ai.

Krasniqi theksoi se situata është bërë kritike për fermerët, të cilët nuk kanë ku të dorëzojnë prodhimin.

“Sot bëhen katër ditë që ne nuk kemi ku ta dorëzojmë qumështin. Shumica e këtyre prodhuesve kanë qenë fermerë që e kanë dorëzuar qumështin te qumështorja ‘Vita’. Por populli duhet ta dijë: qumështi Vita është i Kosovës, nuk është i Serbisë,” tha ai.

Ai kërkoi nga Qeveria që të ndërhyjë për ndalimin e importeve me çmime të ulëta dhe të garantojë mbështetje për prodhuesit vendas.

“Lopët nuk janë çezme. Nuk mund t’i ndalim sot të mos prodhojnë dhe të presim deri në momentin e duhur. Shumica e këtyre fermerëve janë të zhytur në kredi të cilat duhet t’i paguajnë. Të mos luhet me dinjitetin e tyre,” u shpreh përfaqësuesi i fermerëve.

Ndërkohë, përfaqësuesi i qumështores “Vita”, Kushtrim Tigani, kërkoi publikimin sa më të shpejtë të rezultateve të analizave për produktet e qumështit.

“Ne si qumështore më e madhe në Kosovë e grumbullojmë mbi 50% të qumështit të Kosovës. Të gjithë këta bujq e sjellin qumështin te ne, mbi 100 mijë litra në ditë,” tha Tigani.

Ai kërkoi që institucionet përgjegjëse të dalin me rezultatet e analizave për të hequr dyshimet mbi cilësinë e produkteve.

Protesta u organizua nga Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit, e cila paraqiti tri kërkesa kryesore: rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit të freskët, publikimin urgjent të rezultateve të analizave dhe rikthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit.

Pas protestës, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, priti në takim disa përfaqësues të fermerëve për të diskutuar mbi situatën e krijuar.

Kriza në sektorin e qumështit vjen pas mbylljes së përkohshme të fabrikës së përpunimit “Vita” në Istog, pas një aksioni të autoriteteve, duke shtuar shqetësimet e fermerëve për të ardhmen e prodhimit vendor.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Vëllai i 45-vjeçares së vrarë në Athinë: “I thashë të shkonte te avokati për...

0
Të tjera detaje tronditëse kanë dalë nga vrasja e 45-vjeçares Luljeta Obzova në Athinë, e cila u vra nga ish-partneri i saj, 48-vjeçari Altin...

Rama për protestën në Tiranë: “Për mua ishte një dhuratë, sepse Shqipëria nuk ka...

0
Menjëherë pas përfundimit të takimit me ministrat në Pogradec, kryeministri Edi Rama zhvilloi një video live në rrjetet sociale, gjatë rrugës së kthimit drejt...

Rama: “Protesta për mua ishte një dhuratë”, ja çfarë tha për opozitën dhe programin...

0
Menjëherë pas përfundimit të takimit me ministrat në Pogradec, kryeministri Edi Rama zhvilloi një video live në rrjetet sociale, gjatë rrugës së kthimit për...

Rama nga Pogradeci: “Kemi një plan për çmimet e ushqimeve bazë, do të bëjmë...

0
Kryeministri Edi Rama ka folur për prioritetet e qeverisë pas takimit me anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe drejtuesit e agjencive në Pogradec. Në një...

Netanyahu trondit me deklaratën: “Irani u përpoq të vriste një nga djemtë e mi”

0
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Irani është përpjekur të vrasë një nga djemtë e tij, pa dhënë detaje mbi mënyrën apo rrethanat...