Ish-kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci, është ndarë papritur nga jeta në moshën 64-vjeçare. Haluci ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në bjeshkët e Tropojës, ku ndodhej së bashku me familjen për pushime.
Gazetari dhe shkrimtari Mitro Çela ka sjellë në vëmendje një histori të pazakontë nga jeta e Halucit, të cilën e kishte rrëfyer vite më parë në një ese.
Sipas rrëfimit të Çelës, në vitin 1983, Skënder Haluci u arrestua në Tropojë, nën akuzën se kishte planifikuar të vriste ish-presidentin e atëhershëm të Shqipërisë, Ramiz Alinë.
Pas gjyqit, Haluci u dënua fillimisht me pushkatim. Për dy ditë, ai qëndroi me skafandër në kokë, ndërsa pritej vendimi përfundimtar.
Më pas, dënimi iu fal dhe në vend të ekzekutimit, Halucit iu dha një dënim prej 25 vitesh burgim.
Gjatë viteve të burgimit në Burrel, ai përjetoi edhe një tjetër tragjedi familjare. Babai i tij ndërroi jetë në moshën vetëm 46-vjeçare.
Pas daljes nga burgu, Haluci u rikthye në jetën shoqërore dhe më vonë u bë gjyqtar, duke arritur deri në drejtimin e Gjykatës së Vlorës.
Por historia e tij do të merrte një tjetër kthesë të jashtëzakonshme në vitin 1997.
Në atë periudhë, ish-presidenti Ramiz Alia u përball me drejtësinë dhe, përmes shortit, Skënder Haluci u përfshi në trupin gjykues që do të shqyrtonte çështjen e tij.
Sipas rrëfimit të Mitro Çelës, Haluci vendosi të dorëhiqej nga trupi gjykues, duke mos marrë pjesë në gjykimin e personit për vrasjen e të cilit, vite më parë, ishte dënuar me pushkatim.





