Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me gjithsej 81 vite burgim, në vëmendje është rikthyer një deklaratë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nga koha kur Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë.
Në një fjalim të mbajtur në atë periudhë, Kurti deklaronte se Vetëvendosje nuk e njihte Gjykatën Speciale dhe se, nëse do të vinte në pushtet, nuk do të dorëzonte luftëtarët e UÇK-së në këtë gjykatë.
“Kur Vetëvendosja të jetë në qeverisje nesër, është subjekti në qeveri që nuk ju dorëzon në Gjykatën Speciale, sepse ne nuk e njohim atë gjykatë. Edhe PDK ju dorëzon, ne jo.”
Në vijim, Kurti bënte dallimin mes qëndrimit ndaj Gjykatës Speciale dhe rasteve të tjera që lidhen me periudhën pas luftës.
“Veçse për krime, zhvatje e plaçkitje pas luftës, ne nuk ju mbrojmë e as ju ndihmojmë, por sa për Gjykatën Speciale, nuk e njohim.”
Ai shprehej gjithashtu se ardhja e Vetëvendosjes në pushtet do të ishte në interes të atyre që kundërshtonin dërgimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së në Hagë.
“Edhe ju keni interes që ne të vijmë në pushtet për këtë gjë. E keni vështirë ta kuptoni dhe ta pranoni, por do të vijë dita”, shprehej Kurti.
Deklarata është rikthyer në diskutim pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, vendim që ka rikthyer në vëmendje edhe qëndrimet e mëparshme politike në Kosovë lidhur me këtë institucion.





