29.1 C
Tiranë
Thursday, June 18, 2026

“Nga laboratorët në Kolumbi te portet e Europës”/ Dosja ‘Aruba’: Si funksiononte rrjeti i Hamzait dhe Koçekut, SPAK zbardh skemën e trafikut të kokainës

Dosja e bujshme e SPAK, e njohur si dosja e “Arubas”, hedh dritë mbi mënyrën se si dy grupet e drejtuara nga Alfredo Hamzaj dhe Luçiano Koçeku dyshohet se vepronin si një organizatë e vetme kriminale, duke kontrolluar të gjithë zinxhirin e trafikut të kokainës, nga prodhimi në Amerikën Latine deri te shpërndarja në tregjet europiane.

Sipas materialeve hetimore, rrjeti kishte ngritur një mekanizëm të sofistikuar që siguronte transportin, përpunimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike në disa shtete të Europës.

“Trafikimi i lëndëve narkotike nga shtetet e Amerikës Latine drejt Europës realizohet përmes kompanive tregtare të frutave, mishit, qymyrit dhe sojës. Përpunimi dhe ekstraktimi kimik kryhet në magazina apo ambiente të marra me qira në disa shtete europiane, kryesisht në Holandë dhe Belgjikë”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas SPAK, një pjesë e kompanive që përdoreshin për transportin e drogës ishin krijuar dhe menaxhuar nga vetë anëtarët e organizatës, duke shërbyer si mbulesë për futjen e sasive të mëdha të kokainës në territorin europian.

Hetimet tregojnë se trafiku realizohej përmes porteve më të mëdha të kontinentit, si Antverpi në Belgjikë dhe Roterdami në Holandë, duke shfrytëzuar fluksin e mallrave që kalojnë çdo ditë në këto pika strategjike.

Sipas dosjes, grupet shqiptare kishin krijuar aleanca me organizata kriminale nga Holanda, Belgjika, Turqia, Izraeli, Italia, Polonia, Brazili, Britania e Madhe, si dhe me kartele të drogës nga Kolumbia, Paraguaji dhe Ekuadori.

“Ky aktivitet është i shtrirë në disa vende, ku përveç aleancave dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit me grupe të ndryshme kriminale që operojnë në shtete të ndryshme, grupet kriminale shqiptare bashkëpunojnë mes tyre në këtë veprimtari, ose ndihmojnë njëri-tjetrin në procese të ndryshme”, thuhet në materialet hetimore.

Sipas SPAK, kokaina shpërndahej në tregjet kryesore europiane, ku çmimi arrinte nga 26 deri në 30 mijë euro për kilogram. Furnizimi realizohej kryesisht nga Kolumbia dhe Ekuadori, vende ku rrjeti dyshohet se kishte ngritur edhe laboratorë për përpunimin e drogës.

“Në laboratorët e vendosur në Amerikën Latine kryhet përpunimi i lëndës narkotike dhe përgatitja e saj për trafikim drejt tregjeve europiane, nën koordinimin e strukturave të organizuara kriminale”, citohet në dosje.

Po ashtu, hetimet zbulojnë se organizata përdorte mjete detare dhe ajrore për transportin e drogës.

“Lënda narkotike transportohet nëpërmjet mjeteve detare dhe ajrore, përfshirë kontejnerë dhe mjete me ndarje të fshehta, me qëllim shmangien e kontrolleve doganore”, thuhet në dosje.

Një element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është dërgimi i personave në Kolumbi dhe Ekuador për të garantuar funksionimin e laboratorëve dhe të trafikut të drogës. Sipas SPAK, persona si Dritan Aga, Arsen Gerbi dhe Muhamet Mersini janë dërguar në Amerikën Latine, ndërsa udhëtimet organizoheshin përmes Orgest Birçajt dhe agjencisë “Top Seven” sh.p.k.

“Shiko vetë, përkufizimi i organizatës kriminale apo grupit të strukturuar kërkon një organizim hierarkik. Kërkon ndarje rolesh midis anëtarëve dhe një organizim të mirëfilltë të këtyre anëtarëve për të arritur një qëllim për kryerjen e një vepre të posaçme penale”, u shpreh avokati Dritan Jahja.

Në dosje përmendet edhe emri i Orest Sotës, i cili sipas SPAK dyshohet se ka pasur rol në trafikun e narkotikëve drejt Italisë dhe Anglisë, si dhe në sigurimin e informacioneve për personat nën hetim.

“Personi nën hetim Orest Sota, për shkak të lidhjeve që ai ka në Shqipëri, ofron informacione nëse në Shqipëri ka të dhëna për personat nën hetim. Nga ana tjetër sigurohet treg për shitje masive si dhe transport në vende të ndryshme të Europës”, thuhet në dosje.

Sipas hetimeve të autoriteteve europiane dhe SPAK, këtij rrjeti i atribuohen rreth 6.7 ton kokainë të sekuestruara në operacione të ndryshme ndërkombëtare. Mes sasive të kapura përfshihen 441 kilogramë në Barcelonë, 1.435 kilogramë në Roterdam, 162 kilogramë në Britaninë e Madhe, si dhe disa ngarkesa të tjera që varionin nga 600 kilogramë deri në 1.2 ton.

Megjithatë, SPAK dyshon se sasitë e trafikuara me sukses nga organizata janë shumë më të mëdha se ato që janë sekuestruar gjatë operacioneve ndërkombëtare.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

“Amnisti për 400 të burgosur, asnjë i SPAK-ut” – Kuvendi në debat, Gogu: Ja...

0
Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën plenare të radhës, ku në qendër të diskutimeve janë procesi i integrimit europian, interpelancat me ministra dhe shqyrtimi...

“Kanë folur për çmimin e tokës në Zvërnec, mos dalim bllof”/ Dosja e SPAK...

0
Sipas Prokurorisë së Posaçme, gjurmët e skemës së dyshuar të pastrimit të parave dhe përfitimit të paligjshëm të pronave shtrihen nga projektet e ndërtimit...

“Trump dhe Pezeshkian mund të firmosin marrëveshjen në Zvicër”/ Irani zbulon skenarin e ri...

0
Irani po shqyrton mundësinë që memorandumi i mirëkuptimit (MoU) me Shtetet e Bashkuara të nënshkruhet drejtpërdrejt nga presidentët e të dy vendeve, gjatë takimit...

“Koçeku e ndihmoi me para cash dhe sillej si pronar i objekteve”/ Çfarë deklaroi...

0
Dyshimet e SPAK se paratë e përfituara nga trafiku i narkotikëve janë investuar në sektorin e ndërtimit nuk mbështeten vetëm në analizat financiare dhe...

Horoskopi ditor, e Enjte, 18 Qershor 2026

0
♈ Dashi Dita sjell energji dhe vendosmëri. Mund të bëni hapa të rëndësishëm në një projekt personal ose profesional. Në dashuri, shmangni reagimet impulsive dhe...