23.6 C
Tiranë
Sunday, July 5, 2026

Ngërçi në Kuvendin e Kosovës: Ekspertët paralajmërojnë për keqpërdorim të vakumit kushtetues

Ngërçi institucional në Kosovë po thellohet, ndërsa partitë parlamentare vijojnë ta zvarrisin procesin e konstituimit të Kuvendit pa asnjë afat të përcaktuar. Ekspertët juridikë e kushtetues e cilësojnë situatën si alarmante dhe paralajmërojnë për rrezikun e keqpërdorimit të boshllëqeve në Kushtetutë për qëllime politike.

Pavarësisht dhjetëra përpjekjeve, deputetët kanë dështuar të përmbyllin konstituimin e Kuvendit. Kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme në votim të hapur, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, partia që e ka propozuar, refuzon ta tërheqë emrin e saj. Nga ana tjetër, partitë opozitare – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – nuk kanë propozuar anëtarë për komisionin që do të mundësonte votimin e fshehtë, duke bllokuar kështu çdo mundësi alternative për zgjidhje.

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, thotë për Radion Evropa e Lirë se:

“Kushtetuta nuk përcakton ndonjë afat të qartë kohor për konstituimin e Kuvendit dhe ky boshllëk po keqpërdoret nga partitë politike. Hartuesit e Kushtetutës nuk kanë mundur ta parashihnin këtë devijim, këtë destruksion, i cili në suaza normale nuk është dashur të ndodhte.”

Sipas tij, përgjegjësia kryesore bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, por as partitë e tjera nuk përjashtohen nga fajësia, pasi janë pjesë e një zvarritjeje të qëllimshme politike.

Në të njëjtën linjë është edhe profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, i cili kritikon ashpër sjelljen e të gjitha partive politike:

“Partitë politike po e shfrytëzojnë boshllëkun kushtetues për të fshehur paaftësinë e partisë që ka fituar më së shumti vota për formimin e institucioneve. Mungesa e një afati ligjor ka krijuar hapësirë për luftë të ashpër politike dhe inate partiake.”

Baraliu e cilëson situatën si dëshmi të mungesës së interesit të klasës politike për ndërtimin e institucioneve:

“Në këtë rast, përgjegjësia është e të parit, fituesit relativ, por edhe e të tjerëve, pa dallim, sepse nuk janë të interesuar për shtet dhe institucione, por për pushtet, për rënie deri në skaj të absurdit, të inateve dhe betejave politike.”

Të dy ekspertët theksojnë se po abuzohet edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, i cili nuk jep udhëzime konkrete për rastet kur dështon zgjedhja e kryeparlamentarit. Sipas Kryeziut, vendimi që parashikon vazhdimin e seancës konstituive çdo 48 orë nuk mund të përdoret si alibi për zgjatje të pafundme.

“Interpretimi logjik do të thotë se kjo mund të bëhet vetëm dy herë. Herën e parë mund të ketë probleme të natyrës teknike. Herën e dytë, kjo duhet të përfundojë. Çdo vazhdim pas herës së dytë është jashtë normave politike, morale, kushtetuese, rregullative etj.,” thekson ai.

Baraliu ndërkohë vëren se partitë janë betonuar në qëndrimet e tyre rreth kandidaturës së Albulena Haxhiut dhe se deputetët nuk po veprojnë në përputhje me mandatin kushtetues:

“Deputetët duhet ta përdorin mandatin për të mirën e shtetit dhe qytetarëve, por ata po e keqpërdorin atë, duke penguar përfundimin e konstituimit të institucioneve. Partitë politike e kontrollojnë votimin e deputetëve, duke mos i lejuar të votojnë sipas ndërgjegjes dhe interesit shtetëror, ndonëse Kushtetuta u garanton autonomi në vendimmarrje.”

Kryeziu e përshkruan këtë bllokadë si një gjendje të jashtëzakonshme kushtetuese dhe sugjeron ndërhyrjen e presidentes së vendit si faktore unifikuese:

“Mjetet shteren me presidenten e shtetit, sepse është faktor i unitetit. Duhet t’i thërrasë partitë dhe të këmbëngulë që të krijojnë institucionet.”

Ai shton se presidentja ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për të konstatuar nëse janë shkelur dispozitat gjatë procesit të konstituimit. Në rast se edhe kjo nuk jep rezultat, Kryeziu përmend edhe ndërhyrjen e faktorëve të jashtëm, veçanërisht partnerëve ndërkombëtarë, si mundësi për ndërmjetësim.

Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar disa takime konsultative me liderët politikë, por pa sukses. Në një deklaratë të dhënë më herët këtë muaj, ajo tha se:

“Vonesa e konstituimit të Kuvendit e dëmton besueshmërinë e institucioneve dhe përparimin e vendit drejt agjendës euroatlantike.”

Baraliu sugjeron që zgjidhja mund të vijë vetëm nëpërmjet kompromisit politik:

“Rrugëdalja është të ketë një marrëveshje politike. Të ketë racionalitet dhe logjikë të sjelljes, në kuptimin e pjekurisë politike dhe emancipimit demokratik.”

Disa zëra në skenën politike kanë përmendur edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare, që mund të mbahen paralelisht me zgjedhjet lokale në tetor. Megjithatë, ekspertët nuk janë të bindur se kjo do të ishte një zgjidhje efektive dhe paralajmërojnë se problemet kushtetuese do të përsëriten në mungesë të reformës.

Sapo të konstituohet Kuvendi, sipas tyre, prioritet duhet të jetë nisja e menjëhershme e ndryshimeve kushtetuese, për të përcaktuar me qartësi afatet dhe procedurat e formimit të institucioneve, me qëllim shmangien e situatave si kjo aktuale.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Ndahet nga jeta aktori i madh Koço Qëndro, ikona e teatrit shqiptar u shua...

0
Është ndarë nga jeta në moshën 99-vjeçare aktori i njohur i teatrit të Korçës dhe një nga figurat më të spikatura të skenës dhe...

Zjarri masiv në Spanjë, 45 mijë banorë urdhërohen të mos dalin nga shtëpitë

0
Rreth 45 mijë banorëve në verilindje të Spanjës u është kërkuar të qëndrojnë brenda banesave për shkak të tymit të dendur të shkaktuar nga...

IGJEO jep alarmin: Rrezik i lartë për zjarre në Lezhë, Durrës dhe Fier, nesër...

0
Instituti i Gjeoshkencës (IGJEO) ka paralajmëruar se gjatë ditës së sotme dhe nesër në disa qarqe të vendit do të ketë rrezik të shtuar...

“Me të dyja kam pasur një histori”/ Keijsi Hyseni flet për Stelina Kurinën dhe...

0
Ish-banori i “Big Brother VIP Albania”, Keijsi Hyseni, ishte i ftuar në emisionin “Top Arena”, ku u përball me pyetje rreth jetës së tij...

Tre vatra të reja zjarri përfshijnë Lezhën, flakët rrezikojnë banesat në Pllanë

0
Pas zjarrit të regjistruar më herët në malin e Shëngjinit, gjatë ditës së sotme janë shfaqur edhe tre vatra të tjera zjarri në qarkun...