21.5 C
Tiranë
Sunday, July 5, 2026

Arrestohet në Britani Lorenc Lala, i kërkuari për vrasje gjakmarrjeje në Peqin – autoritetet shqiptare kërkojnë ekstradimin

LONDËR – Lorenc Lala, 47-vjeçari shqiptar i shpallur në kërkim për vrasje me motiv gjakmarrjeje, është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar pas katër vitesh qëndrimi të lirë dhe të padiktuar. Operacioni u realizua këtë javë nga Policia Metropolitane në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, të cilat kishin lëshuar më herët një urdhër arresti ndërkombëtar dhe tashmë kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij.

Lala, i njohur gjithashtu me emrin Kristian Lala, akuzohet nga drejtësia shqiptare për organizimin dhe financimin e vrasjes së Albi Bashaliut, ngjarje që ndodhi në vitin 2021 në fshatin Gjocaj të Peqinit. Vrasja dyshohet të jetë kryer në kuadër të një gjakmarrjeje, ndërsa Lala ka paguar sipas hetimeve 50 mijë euro për ekzekutimin dhe ka ndihmuar autorin që të largohet nga vendngjarja.

Në një deklaratë zyrtare, Policia e Shtetit njoftoi:

“Vrasja e Albi Bashaliut ndodhi në vitin 2021. Lorenc Lala ishte organizatori i këtij krimi, duke financuar autorët dhe duke krijuar kushtet për realizimin e tij. Më pas ndihmoi autorin të largohej nga vendngjarja.”

Sipas mediave britanike, Lala kishte zgjedhur të arratisej në Britani me bindjen se pas largimit të këtij vendi nga Bashkimi Europian, nuk do të ishte më subjekt i urdhrave të arrestit europian.

Një ekspert i krimit të organizuar shqiptar cituar nga “The Telegraph” deklaroi:

“Një brez i ri shqiptarësh të përfshirë në krimin e organizuar dhe të kërkuar nga Shqipëria, Italia, Greqia apo Gjermania po hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, kryesisht nëpërmjet kamionëve. Ata po përdorin Britaninë si një vend të sigurt për të shmangur urdhrat e arrestit europian.”

Arrestimi i Lalës është përshëndetur edhe nga autoritetet shqiptare. Kreshnik Ajazi, drejtues i Prokurorisë së Elbasanit, deklaroi:

“Arrestimi i tij në Britani dhe ekstradimi i mundshëm nga gjykatat britanike përbën një sukses të madh dhe pasqyron marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve në fushën e drejtësisë penale.”

Ai theksoi se vendndodhja e Lalës u identifikua pas bashkëpunimit me një anëtar të grupit kriminal që pranoi të flasë me autoritetet.

Zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike, në një deklaratë për shtyp, konfirmoi vijimësinë e bashkëpunimit me Shqipërinë:

“Mbretëria e Bashkuar ka marrëveshje të gjera bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shqipërinë, për të mos lejuar që vendi të bëhet strehë për ata që duan t’i shpëtojnë drejtësisë.”

Ndërkohë, sekretari britanik për Sigurinë, Chris Philp, u shpreh me tone të ashpra ndaj situatës:

“Mbretëria e Bashkuar nuk mund të kthehet në një strehë të sigurt për kriminelë të rrezikshëm. Duhet një goditje e fortë ndaj sigurisë kufitare që të parandalohen emigrantët e paligjshëm dhe kriminelët që hyjnë në vend. Kam shqetësime se ky i dyshuar shqiptar mund të përpiqet të përfitojë nga ligjet tona të dobëta për të drejtat e njeriut për të qëndruar këtu. Prandaj, ligji për të drejtat e njeriut duhet të shfuqizohet për çështjet e emigracionit.”

Lala u paraqit para Gjykatës së Magjistraturës së Westminster-it për akuzën e “komplot për vrasje” dhe aktualisht ndodhet në paraburgim, në pritje të seancës së radhës në muajin korrik.

Sipas një burimi të “Home Office”, edhe pse Britania nuk është më pjesë e sistemit të përbashkët të urdhrave të arrestit të BE-së, ajo ka marrëveshje të posaçme ekstradimi me Shqipërinë. Kjo ka lehtësuar bashkëpunimin në rastet penale.

Statistikat e publikuara nga “The Telegraph” përforcojnë shqetësimin në rritje për emigracionin ilegal nga Shqipëria. Gjatë vitit 2022, mbi 12 mijë shqiptarë hynë ilegalisht nëpërmjet Kanalit të La Manshit. Megjithatë, falë marrëveshjeve dypalëshe për goditjen e krimit dhe deportimet e përshpejtuara, ky numër ra në 630 persona në vitin 2023.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Ndahet nga jeta aktori i madh Koço Qëndro, ikona e teatrit shqiptar u shua...

0
Është ndarë nga jeta në moshën 99-vjeçare aktori i njohur i teatrit të Korçës dhe një nga figurat më të spikatura të skenës dhe...

Zjarri masiv në Spanjë, 45 mijë banorë urdhërohen të mos dalin nga shtëpitë

0
Rreth 45 mijë banorëve në verilindje të Spanjës u është kërkuar të qëndrojnë brenda banesave për shkak të tymit të dendur të shkaktuar nga...

IGJEO jep alarmin: Rrezik i lartë për zjarre në Lezhë, Durrës dhe Fier, nesër...

0
Instituti i Gjeoshkencës (IGJEO) ka paralajmëruar se gjatë ditës së sotme dhe nesër në disa qarqe të vendit do të ketë rrezik të shtuar...

“Me të dyja kam pasur një histori”/ Keijsi Hyseni flet për Stelina Kurinën dhe...

0
Ish-banori i “Big Brother VIP Albania”, Keijsi Hyseni, ishte i ftuar në emisionin “Top Arena”, ku u përball me pyetje rreth jetës së tij...

Tre vatra të reja zjarri përfshijnë Lezhën, flakët rrezikojnë banesat në Pllanë

0
Pas zjarrit të regjistruar më herët në malin e Shëngjinit, gjatë ditës së sotme janë shfaqur edhe tre vatra të tjera zjarri në qarkun...