Irani ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit do të vijojë të mbetet e mbyllur, derisa të përmbushen kushtet e vendosura nga Teherani dhe Shtetet e Bashkuara të zbatojnë angazhimet e tyre.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, deklarata është bërë nga kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Ghalibaf, i cili theksoi se vendi i tij nuk do të ndërmarrë hapa për rihapjen e ngushticës për sa kohë që kërkesat e Iranit nuk janë përmbushur.
Ghalibaf deklaroi se Irani duhet të ndjekë njëkohësisht rrugën e luftës dhe atë të negociatave.
Sipas tij, Teherani do të përdorë fuqinë ushtarake për t’iu kundërvënë kundërshtarëve, ndërsa diplomacia do të shërbejë për të konsoliduar atë që Irani e konsideron si arritje në fushën e betejës.
“Duhet të ndjekim njëkohësisht rrugën e luftës dhe të negociatave”, mësohet të ketë deklaruar Ghalibaf, duke nënvizuar qasjen e dyfishtë të Teheranit.
Ngushtica e Hormuzit, korridor strategjik për energjinë
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët kryesore të transportit të naftës në botë dhe ka rëndësi të madhe për tregtinë ndërkombëtare të energjisë.
Çdo kufizim i lëvizjes në këtë korridor strategjik mund të ndikojë në tregjet ndërkombëtare të naftës, çmimet e energjisë dhe transportin detar.
Deklaratat e fundit të autoriteteve iraniane vijnë në një klimë të tensionuar, ndërsa mbetet e paqartë se kur dhe në çfarë kushtesh mund të shqyrtohet rihapja e ngushticës.





