Vala e fortë e të nxehtit që ka përfshirë Evropën vijon të shkaktojë pasoja të rënda në Itali. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pesë persona kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e temperaturave ekstreme.
Autoritetet italiane kanë shpallur alarmin e kuq, nivelin më të lartë të rrezikut, në 25 qytete të mëdha të vendit, ndërsa situata pritet të mbetet kritike edhe gjatë ditës së nesërme.
Megjithatë, meteorologët parashikojnë një ndryshim të motit duke filluar nga pasditja e së mërkurës. Në shumë zona të Italisë veriore priten reshje të dendura shiu, të shoqëruara në disa raste edhe me breshër, ndërsa të enjten moti i paqëndrueshëm pritet të përfshijë edhe rajonet qendrore të vendit.
Për të mbrojtur qytetarët dhe turistët nga temperaturat përvëluese, shumë bashki kanë hapur falas muzetë deri në përfundim të valës së të nxehtit.
Së bashku me palestrat dhe qendrat kulturore, këto ambiente po përdoren si “strehë klimatike”, ku qytetarët mund të gjejnë freski dhe mbrojtje gjatë orëve me temperaturat më të larta.





