18.5 C
Tiranë
Wednesday, May 13, 2026
spot_img

Serbia, Hungaria dhe Rusia shtyjnë përpara ndërtimin e naftësjellësit të përbashkët, mes kundërshtimeve nga BE

Beograd, 22 korrik — Ministrja e Minierave dhe Energjisë e Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, ka konfirmuar se Serbia, Hungaria dhe Rusia mbeten të përkushtuara ndaj ndërtimit të një naftësjellësi të ri që do të lidhë Beogradin me Budapestin, pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian për shkak të përfshirjes së kompanive ruse.

Deklarata e saj erdhi pas një takimi në Beograd me zëvendësministrin rus të Energjisë, Pavel Sorokin, dhe ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë të Hungarisë, Peter Szijjarto. Gjedoviq theksoi se ky projekt do të forcojë sigurinë energjetike të Serbisë dhe do t’i mundësojë vendit një burim alternativ për furnizimin me naftë të papërpunuar.

“Diversifikimi i burimeve të furnizimit është vendimtar në këtë kohë të paqëndrueshmërisë gjeopolitike. Ky naftësjellës do të lidhë për herë të parë Serbinë me një nga rrjetet më të mëdha të Evropës”, u shpreh ministrja serbe.

Sipas planit të paraqitur nga Szijjarto, do të ndërtohet një naftësjellës i ri prej 180 kilometrash në territorin hungarez, me një kapacitet të mundshëm transporti deri në 5 milionë tonë në vit. Ai shtoi se nëse gjithçka ecën sipas planit, infrastruktura mund të jetë funksionale deri në vitin 2027.

Përpjekje për të anashkaluar sanksionet

Naftësjellësi Serbi–Hungari është projektuar të lidhet me sistemin rus të naftësjellësit Druzhba (“Miqësia”), duke i mundësuar Serbisë të importojë naftë të lirë nga Urali — një skemë që vjen si reagim ndaj ndalimit nga Kroacia të transportit të naftës ruse në fund të vitit 2022, në zbatim të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Moskës.

Por ky projekt mbetet i ndjeshëm politikisht. Pavarësisht faktit që Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE, autoritetet në Beograd dhe Budapest vazhdojnë të ruajnë marrëdhënie të ngushta me Rusinë, edhe në kohën kur Perëndimi e ka izoluar Moskën për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.

Çështja e NIS-it dhe ndikimi rus

Një nga hallkat kryesore të këtij projekti mbetet kompania Industria e Naftës së Serbisë (NIS), e vetmja kompani në vend që merret me kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e naftës dhe gazit natyror. NIS është përfshirë në listën e sanksioneve të SHBA-së që nga janari, për shkak të lidhjeve të saj me Gazprom Neft, kompani ruse që ndodhet nën sanksione të ashpra perëndimore.

Ndonëse Gazprom Neft ka transferuar rreth 5% të aksioneve te Gazprom — kompani që aktualisht nuk është e sanksionuar — strukturat ruse mbeten shumicë në pronësinë e NIS-it. Megjithatë, NIS i ka paraqitur disa herë kërkesa Departamentit të Thesarit të SHBA-së për shtyrjen e zbatimit të sanksioneve dhe për heqjen nga lista e zezë, duke argumentuar se është një proces kompleks.

Çfarë pritet më tej?

Sipas Gjedoviq Handanoviq, dokumentacioni teknik për pjesën serbe të projektit do të përfundojë në fillim të vitit 2026, ndërsa punimet në Hungari mund të nisin më herët, brenda vitit 2025. Ndërkohë, pritet përcaktimi i saktë i kapaciteteve të nevojshme për NIS-in dhe detajeve komerciale të marrëveshjes.

Projekti shihet nga Beogradi si strategjik për shkëputjen nga varësia energjetike nga rrugët e furnizimit që kontrollohen nga Kroacia dhe Bashkimi Evropian. Por për BE-në, ky është një tjetër sinjal i dyshimtë për qëndrimin e Serbisë karshi politikave të përbashkëta evropiane, veçanërisht në një moment kur po diskutohet hapja e kapitujve të rinj për integrimin e vendit.

Analistët paralajmërojnë se realizimi i këtij projekti në formën e tanishme mund të shkaktojë tensione të reja në marrëdhëniet Serbi–BE dhe të ngrejë pikëpyetje të mëdha mbi gatishmërinë e Beogradit për t’u harmonizuar me politikat energjetike dhe të sigurisë të Brukselit.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

“Porti iu fal Alabbarit?”/ Si nisi projekti i Marinës së Durrësit dhe pse marrëveshja...

0
Historia e transformimit të Porti i Durrësit në një marinë jahtesh luksoze ka nisur vite më parë, por sot projekti “Durrës Marina” po rikthehet...

“Do të vritesh duke e shtyrë vendin drejt vdekjes”/ Donald Trump mesazh të fortë...

0
Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë deklarata të forta ndaj kryeministrit britanik Keir Starmer, duke komentuar edhe të ardhmen...

“Gjesti? E kam parë si vëlla të vogël”/ Loredana Brati reagon pas deklaratave të...

0
Loredana Brati ka reaguar publikisht pas deklaratave të Xheneta Fetahu dhe aludimeve të shumta në rrjet për një lidhje të mundshme mes saj dhe...

“80% e demokratëve janë kundër tij”/ Ervin Salianji sulmon Sali Berisha: “Po të kishte...

0
Ish-deputeti Ervin Salianji ka komentuar situatën brenda Partia Demokratike, pasi nuk u lejua të garonte për kreun e partisë përballë Sali Berisha. I ftuar në...

“Po përgatiste një vrasje me pagesë”/ Arrestohet 42-vjeçari serb në Shkup, policia zbulon arsenal...

0
Një 42-vjeçar serb është arrestuar nga autoritetet në Shkup, pas dyshimeve se po përgatiste një vrasje me pagesë. Arrestimi u realizua në kuadër të një...