Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda proaktive operacioni i koduar “Drithas” nga Policia e Korçës, në kuadër të të cilit është arrestuar në flagrancë një 57-vjeçar, i dyshuar për shitje të lëndëve narkotike.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas disa javësh hetimesh me metoda speciale për dokumentimin e një rasti të shitjes së lëndëve narkotike në fshatin Drithas, finalizuan operacionin e koduar “Drithas”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi S. B., 57 vjeç, banues në fshatin Drithas, Maliq.
Gjatë kontrollit në lokalin që 57-vjeçari kishte marrë me qira, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza dhe dyshohej se ishte gati për shitje.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën një sasi tjetër të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, si dhe një peshore elektronike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua gjithashtu një celular.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale për të cilën dyshohet 57-vjeçari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.





