Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën e radhës plenare, ku deputetët do të shqyrtojnë një sërë projektligjesh, projektrezolutash dhe raporte vjetore të institucioneve kushtetuese dhe të sistemit të drejtësisë.
Një pjesë e rëndësishme e seancës do t’i kushtohet diskutimit dhe miratimit të projektrezolutave për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve kryesore të pavarura për vitin 2025. Në rendin e ditës janë raportet për Avokatin e Popullit, Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH), Prokurorinë e Përgjithshme, Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD).
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes plenare të datës 16 korrik 2026 dhe me njoftimet përkatëse. Më pas do të paraqitet Raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025.
Në rendin e ditës është përfshirë gjithashtu edhe shqyrtimi i projektligjit “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”.
Rendi i ditës i seancës përfshin:
* Miratimin e procesverbalit të seancës plenare të datës 16 korrik 2026;
* Raportin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025;
* Projektligjin “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”;
* Projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit, KLGJ-së, KLP-së, KLSH-së, Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK-ut dhe ILD-së për vitin 2025;
* Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Ndërkohë, jashtë Kuvendit është paralajmëruar edhe një protestë qytetare. Organizatorët e rezistencës kanë bërë thirrje për një tubim para Parlamentit gjatë zhvillimit të seancës plenare.





