24.8 C
Tiranë
Saturday, August 8, 2026

“SPAK të hetojë 1.2 milionë eurot e para”, PD ngre alarmin për Unazën e Burrelit: Qeveria po kërkon edhe 950 mijë euro të tjera për rrugën e shembur

Partia Demokratike i ka bërë thirrje SPAK-ut të nisë hetimet për investimin në Unazën e Burrelit, pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tender të ri me fond limit rreth 950 mijë euro për rehabilitimin e segmentit që u shemb pas motit të keq më 9 janar të këtij viti.

Për ndërtimin e Unazës së Burrelit, ARRSH kishte investuar më herët rreth 1.2 milionë euro, ndërsa rruga, e ndërtuar gjatë vitit 2025 me gjatësi 960 metra, pësoi çarje dhe shembje në disa pika vetëm pak muaj pas përfundimit të punimeve, duke u bërë e pakalueshme.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Denisa Vata, akuzoi qeverinë se po kërkon t’u faturojë qytetarëve një tjetër investim, pa u zbardhur më parë arsyet e dështimit të projektit fillestar.

“Unaza e Burrelit është monumenti i korrupsionit, papërgjegjshmërisë dhe pandëshkueshmërisë së kësaj qeverie. Për ndërtimin e saj u shpenzuan rreth 1.2 milionë euro nga taksat e shqiptarëve. Sot ajo rrugë është shembur pothuajse në të gjithë gjatësinë e saj. Dhe në vend që të kërkohej përgjegjësi për një investim publik që ka dështuar, qeveria bën të kundërtën. Hap një tender të ri me vlerë 950 mijë euro, duke u kërkuar shqiptarëve të paguajnë edhe një herë. Nëse 1.2 milionë euro nuk mjaftuan për të ndërtuar një rrugë, mbi çfarë logjike teknike dhe financiare pretendohet se 950 mijë euro do ta zgjidhin problemin?”, deklaroi Vata.

Ajo ngriti pikëpyetje mbi përgjegjësit e projektit, duke kërkuar verifikimin e plotë të procesit.

“Kush garanton se kjo nuk do të jetë një faturë e dytë për të njëjtin dështim? Kush garanton se projektuesit, mbikëqyrësit dhe i gjithë zinxhiri i përgjegjësisë nuk janë sërish të njëjtët?”, u shpreh ajo.

Sipas Vatës, një dokument zyrtar i Autoritetit Rrugor Shqiptar pranon se projekti nuk kishte parashikuar rrezikun e rrëshqitjeve të dherave.

“Sot po bëj publik një dokument zyrtar të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Në këtë shkresë, të datës 12 janar 2026, vetë ARRSH pranon se projekti i paraqitur nga Bashkia Mat nuk kishte evidentuar rrezikun e rrëshqitjeve dhe, për pasojë, nuk kishte parashikuar masa inxhinierike për trajtimin e tyre. Ky nuk është pretendim i opozitës, por pranim zyrtar i institucionit përgjegjës”, tha ajo.

Zëdhënësja e PD-së theksoi se në çdo shtet normal një investim i tillë do të pasohej nga hetime për përgjegjësit.

“Në çdo shtet normal, një investim publik që dështon në këto përmasa do të sillte menjëherë një verifikim të plotë institucional për të përcaktuar përgjegjësitë dhe çdo dëm të shkaktuar buxhetit të shtetit. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Nuk kërkohet përgjegjësi për 1.2 milionë eurot e para, por hapet një tender i ri me 950 mijë euro të tjera. Paradoksi nuk është se po ndërtohet përsëri rruga. Paradoksi është se shteti po paguan për herë të dytë, pa u thënë ende shqiptarëve pse dështoi pagesa e parë dhe kush mban përgjegjësi për të”, deklaroi Vata.

Në përfundim, ajo i kërkoi SPAK-ut të ndërhyjë për zbardhjen e plotë të çështjes.

“Partia Demokratike kërkon që SPAK të nisë menjëherë hetimet për këtë investim, të verifikojë përgjegjësinë e çdo zyrtari, projektuesi, mbikëqyrësi dhe subjekti të përfshirë, si edhe të ndalojë çdo shpenzim të ri publik pa u zbardhur më parë pse dështuan 1.2 milionë eurot e para. Unaza e Burrelit është simboli i një modeli qeverisjeje ku dështimi nuk ndëshkohet, por financohet përsëri me paratë e qytetarëve”, përfundoi ajo.

Sipas të dhënave, segmenti rrugor u realizua nga kompania “Ulza” sh.p.k., ndërsa zona ku është ndërtuar ka pasur edhe më herët precedentë të dokumentuar të rrëshqitjeve të tokës, të shoqëruar me vendime dëmshpërblimi nga Këshilli Bashkiak.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Rekord botëror në arsim/ 18-vjeçari Nathan Thomas bëhet pedagogu më i ri universitar në...

0
Nathan Thomas ka hyrë në historinë e arsimit universitar, duke u shpallur pedagogu më i ri universitar në botë në moshën vetëm 18 vjeç...

Aksident tragjik në Mirditë/ Humb jetën 38-vjeçari nga Kosova pasi humbi kontrollin e motomjetit

0
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në afërsi të fshatit Fan, në Mirditë, ku ka humbur jetën një 38-vjeçar nga...

30 vatra zjarri në 24 orë, 8 mbeten aktive/ Angazhohen mbi 600 forca dhe...

0
Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 30 vatra zjarri, nga të cilat 8 vijojnë të jenë aktive, ndërsa strukturat operacionale po...

Operacioni “The Wanted”/ Ekstradohen nga Kolumbia dhe Italia dy persona të kërkuar për vepra...

0
Policia e Shtetit ka finalizuar dy faza të tjera të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke sjellë në...

SHBA rrit aktivitetin e inteligjencës në Kubë, administrata Trump e cilëson “prioritet të lartë”

0
Kuba është rikthyer në fokusin e administratës së Presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa raportohet për një rritje të pranisë së inteligjencës amerikane në ishull...