Një iPhone 13 Pro në përdorim të Arsen Cenit i ka shërbyer SPAK-ut për të zbuluar mënyrën e funksionimit të grupit Prendi në lidhje me sulmin me armë zjarri ndaj grupit Bajri në gusht të vitit 2024.
Nga këqyrja e të dhënave të telefonit rezulton se Arsen Ceni ka zhvilluar komunikime në aplikacione si Signal dhe WhatsApp, ku bashkëbiseduesit përdornin pseudonime për njëri-tjetrin dhe për personat e përfshirë në grup.
Sipas dosjes hetimore, Arsen Ceni e quante veten “Strategu”, emër me të cilin ishte regjistruar edhe në aplikacionin WhatsApp.
Andrea Prendi ishte i regjistruar në telefon me pseudonimin “Q8”, referuar automjetit Audi Q8 që përdorej prej tij dhe ishte i regjistruar në emër të Arsen Cenit.
Ndërkohë, Aleksandër Prendi thirrej “Nusja”, Gëzim Prendi “Noizy”, ndërsa Pjetër Prendi, i njohur edhe si Pjetër Dragoti, përdorte pseudonimin “Kapedani”.
SPAK dyshon se komunikimet dhe përdorimi i pseudonimeve janë përdorur për të fshehur identitetin dhe aktivitetin e grupit gjatë organizimit të ngjarjeve kriminale.






