Një muaj pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën, bilanci i viktimave ka arritur në 5.546 persona të vdekur, ndërsa 16.740 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Dy lëkundjet sizmike me magnitudë 7,2 dhe 7,5 goditën veriun e vendit gjatë natës së 24 qershorit, vetëm 39 sekonda larg njëra-tjetrës. Fenomeni u cilësua si një “dublet sizmik”, një ngjarje e rrallë në të cilën dy tërmete të fuqishme ndodhin në një interval shumë të shkurtër kohor.
Autoritetet venezueliane e kanë përshkruar ngjarjen si një nga fatkeqësitë natyrore më të rënda që vendi ka përjetuar në më shumë se një shekull.
Bilanci i fundit u bë publik nga presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, i cili paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet më tej, pasi vijojnë ende operacionet për pastrimin e rrënojave.
Ndërkohë, autoritetet nuk kanë përditësuar numrin zyrtar të personave të zhdukur që prej 25 qershorit, kur u raportuan 157 persona të humbur.
Një nismë qytetare ka regjistruar rreth 29.500 raportime për persona, vendndodhja e të cilëve mbetet e panjohur, duke nxitur debate mbi diferencat mes të dhënave zyrtare dhe raportimeve të qytetarëve.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, dëmet materiale nga tërmetet arrijnë në rreth 19,6 miliardë dollarë.
Nga kjo shumë, rreth 9,3 miliardë dollarë llogariten dëme në banesa, 5,2 miliardë dollarë në infrastrukturën publike dhe afro 5 miliardë dollarë në ndërtesa tregtare dhe industriale.
Si pasojë e katastrofës natyrore, 17.907 familje kanë mbetur pa banesa, ndërsa mbi 23 mijë persona vijojnë të strehohen në 107 qendra të përkohshme në kryeqytetin Karakas.
Pas përfundimit gradual të operacioneve të kërkim-shpëtimit, autoritetet kanë kaluar në fazën e pastrimit të rrënojave dhe rindërtimit të zonave të prekura.
Sipas tyre, rikthimi i plotë i jetës normale do të kërkojë muaj punë, ndërsa për disa zona procesi i rindërtimit mund të zgjasë edhe me vite.





