Dhjetëra qytetarë kanë protestuar sot përpara zonës ku po ndërtohet Muzeu Hebraik në Vlorë, duke kundërshtuar vijimin e punimeve për ngritjen e tij në këtë hapësirë.
Sipas protestuesve, zona ka një rëndësi të veçantë për historinë kombëtare shqiptare, pasi lidhet me Ismail Qemalin dhe firmëtarët e Pavarësisë. Për këtë arsye, ata kërkojnë që hapësira t’i kushtohet historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Qytetarët shprehen se ndërtimi i Muzeut Hebraik pikërisht në këtë vend cenon, sipas tyre, simbolikën historike të zonës dhe unitetin kombëtar. Disa prej protestuesve e kanë cilësuar projektin një “vulë turpi”, duke pretenduar se ai zbeh historinë e vendit.
Protestuesit kanë theksuar se kundërshtimi i tyre nuk lidhet me historinë e komunitetit hebre. Ata kanë kujtuar solidaritetin e shqiptarëve, të cilët gjatë Holokaustit strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë, por kërkojnë që një muze kushtuar kësaj historie të ndërtohet në një tjetër hapësirë.
Në vendin ku po zhvillohen aktualisht punimet, qytetarët propozojnë ngritjen e një muzeu që, sipas tyre, duhet t’i kushtohet historisë, kulturës dhe figurave të rëndësishme të kombit shqiptar.
Protestuesit kërkojnë pezullimin e punimeve dhe rishikimin e vendndodhjes së Muzeut Hebraik, duke këmbëngulur që hapësira të ruajë, sipas tyre, karakterin dhe simbolikën e saj historike.





