Mbi 414 kilogramë hashash janë sekuestruar nga policia italiane gjatë një operacioni antidrogë në Guidonia, pranë Romës, ndërsa në pranga ka rënë një 29-vjeçar shqiptar.
Sipas autoriteteve italiane, droga dyshohet se ishte destinuar për tregun e shpërndarjes në Romë dhe provincat përreth. Vlera e saj, nëse do të hidhej në treg, përllogaritet në më shumë se 4 milionë euro.
Kontrollet nisën pas vëzhgimit të lëvizjeve të 29-vjeçarit pranë një godine në zonë. I riu u ndalua teksa po përpiqej të ngarkonte në bagazhin e automjetit të tij disa valixhe të mëdha.
Brenda valixheve, policia gjeti 98 kilogramë hashash. Gjatë kontrollit, efektivët gjetën gjithashtu një tufë çelësash që 29-vjeçari kishte me vete.
Çelësat i mundësuan policisë të hynte në disa ambiente të përdorura, sipas hetuesve, si depo për ruajtjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike, të vendosura mes Guidonia-s dhe Romës.
Në një prej ambienteve, një sasi e konsiderueshme hashashi ishte fshehur brenda frigoriferëve të përshtatur si hapësira magazinimi.
Në ambiente të tjera, përfshirë një garazh, u gjetën materiale që dyshohet se përdoreshin për paketimin e dozave. Gjithashtu, policia sekuestroi disa fletë të shkruara me dorë, ku ishin shënuar llogaritje dhe sasi të ndryshme droge.
Në përfundim të kontrolleve, sasia totale e hashashit të sekuestruar kaloi 414 kilogramët.
29-vjeçari shqiptar akuzohet për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin e tyre.
Gjykata italiane la në fuqi arrestimin dhe vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”. Hetimet vijojnë për të zbardhur më tej rrjetin e mundshëm të ruajtjes dhe shpërndarjes së drogës.





