0.5 C
Tiranë
Tuesday, December 30, 2025
spot_img

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë: Fitore bindëse e Vetëvendosjes, opozita mbetet thellë pas

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 28 dhjetor pas muajsh përplasjesh politike, bllokadash institucionale dhe një klime të fortë polarizimi, kanë përfunduar me një fitore bindëse të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), LVV-ja ka siguruar 49.30 për qind të votave, pa përfshirë votat me kusht dhe ato të diasporës, duke iu afruar ose duke rrezikuar të tejkalojë rezultatin historik të zgjedhjeve të vitit 2021, kur kishte fituar 50.28 për qind.

Njohësit e zhvillimeve politike e cilësojnë këtë rezultat si një fitore “spektakolare”, të arritur jo vetëm falë mobilizimit të elektoratit të Vetëvendosjes, por edhe për shkak të performancës së dobët të partive opozitare.

“Kjo është një fitore spektakolare e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën ia ka dhuruar opozita me mungesën totale të ideve se si të ballafaqohen me popullizmin e fuqishëm të Kurtit”, vlerëson analisti politik Artan Muhaxhiri.

Të dhënat preliminare tregojnë se partitë kryesore opozitare kanë mbetur ndjeshëm prapa. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 21.01 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 13.59 për qind, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 5.68 për qind. Nisma Socialdemokrate, me vetëm 1.72 për qind të votave, nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka siguruar 4.74 për qind të votave. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit do të arrijë të fitojë një ulëse në Kuvend.

Politologu Dritëro Arifi e sheh fitoren e Vetëvendosjes si rezultat të një kombinimi faktorësh, përfshirë “propagandën e fuqishme” të kësaj partie dhe mungesën e angazhimit serioz nga opozita.
“Më e rëndësishmja është se qytetarët e kanë vërejtur mungesën e lidershipit te partitë opozitare, si dhe mungesën e një figure që do të mund ta ndryshonte gjendjen”, thekson Arifi.

Bazuar në shpërndarjen preliminare të mandateve, LVV-ja pritet t’i ketë 56 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 23, LDK-ja 15 dhe AAK-ja 6 ulëse. Lista Serbe pretendon se i ka siguruar të dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb.

Ashtu si në zgjedhjet e vitit 2021, Vetëvendosje është në rrugë për të krijuar shumicën parlamentare pa koalicion me partitë e tjera shqiptare, duke u mbështetur në votat e deputetëve nga pakicat joserbe, të cilat kanë 10 ulëse të garantuara në Kuvend, si dhe në përfaqësimin e komunitetit serb.

Pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja, kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se “sa më parë që certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, aq më shpejt do të krijohen institucionet”, duke sinjalizuar nisjen e shpejtë të procesit të formimit të qeverisë së re.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

“Plagë e vjetër nga një kohë e zezë” – Rama reagon për krizën e...

0
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e rënduar të furnizimit me ujë në Vlorë, përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale. Ai...

Kurti shpall fitoren e LVV-së: “Më e madhja në historinë e vendit”

0
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke e cilësuar atë si “fitoren më të madhe...

Zjarr tragjik në një azil pleqsh në Indonezi, 16 të vdekur dhe disa të...

0
Një zjarr i rëndë ka shpërthyer në një azil pleqsh në ishullin indonezian Kelibia, duke shkaktuar vdekjen e 16 personave dhe plagosjen e tre...

Vlora prej ditësh pa ujë të pijshëm, qytetarët protestojnë dhe paralajmërojnë përshkallëzim

0
Qytetarët e Vlorës po përballen prej disa ditësh me mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm, një situatë që ka shkaktuar pakënaqësi të forta,...

Turqi/ Përleshje me militantë të dyshuar të ISIS-it në Yalova, plagosen shtatë oficerë policie

0
Shtatë oficerë policie mbetën të plagosur mëngjesin e kësaj të hëne gjatë një përleshjeje të armatosur me militantë të dyshuar të Shtetit Islamik (ISIS)...