Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka ngritur shqetësime të forta për menaxhimin e sektorit të naftës në vend, duke e cilësuar situatën si një “paradoks kombëtar”.
Sipas tij, ndërkohë që në Kuçovë nafta del nga toka “si burim uji”, qytetarët shqiptarë vazhdojnë të paguajnë ndër çmimet më të larta të karburantit në Europë.
Lapaj akuzon për keqadministrim dhe abuzim me këtë pasuri kombëtare, duke përmendur drejtpërdrejt edhe Albpetrol dhe institucionet përgjegjëse.
“Ne vazhdojmë të paguajmë naftën e shtrenjtë, ndërkohë që nafta jonë derdhet nëpër fushat e vendit. Një turp i madh!”, shprehet ai në një video të publikuar.
Në reagimin e tij, Lapaj rikujtoi edhe periudhën kur industria e përpunimit të naftës ishte funksionale, duke përmendur rafinerinë e Kuçovës që sipas tij përpunonte deri në 150 mijë ton naftë bruto në vit.
Ai nuk kurseu kritikat edhe ndaj Edi Rama, duke e akuzuar për mosmbajtje të premtimeve për ringritjen e industrisë së naftës në vend.
Në fund, Lapaj u bëri thirrje qytetarëve të reflektojnë mbi situatën, duke theksuar se Shqipëria vazhdon të paguajë çmime të larta për një pasuri që, sipas tij, po keqmenaxhohet dhe lihet “si mall pa zot”.






