Në një reagim ekskluziv, djali i Nikolla Radaçit, i përfshirë në tragjedinë e rëndë në Durrës, ka kërkuar falje publike familjarëve të viktimave, duke theksuar se dhimbja është e pamatshme për të gjitha palët.
Ai shprehet se familja e tyre nuk mund të mbahet përgjegjëse për veprimet e të atit, ndërsa pranon se ai kishte probleme me konsumimin e alkoolit dhe sjellje të papërshtatshme në drejtimin e automjetit.
“Na falni nga zemra. E dimë që asnjë fjalë nuk e zbut dhimbjen që keni,” thuhet në mesazhin e tij.
Sipas tij, familjarët kanë tentuar në disa raste ta këshillojnë dhe ta ndalojnë, por nuk kanë pasur mundësi të kontrollojnë sjelljen e tij në mënyrë të vazhdueshme.
Ai shton gjithashtu se babai i tij kishte pasur probleme edhe më herët me autoritetet, përfshirë heqjen e lejes së drejtimit, sipas informacionit të policisë.
“Ne nuk mund të jemi gjithmonë pranë tij për të parandaluar situata të tilla,” thekson ai.
Deklarata vjen ndërsa ngjarja vijon të mbetet në qendër të vëmendjes publike dhe hetimet për aksidentin tragjik po vazhdojnë.






