Një hetim i publikuar nga mediat ndërkombëtare ka ngritur akuza serioze ndaj një klinike kardiologjie në Spitalin Universitar të Cyrihut (USZ), ku dyshohet se shkelje të rënda etike dhe mjekësore mund të kenë çuar në vdekjen e dhjetëra pacientëve.
Sipas të dhënave të hetimit, në departamentin e kirurgjisë kardiake në periudhën 2016–2020 janë regjistruar 68 deri në 74 vdekje më shumë sesa pritej statistikisht, nga rreth 4,500 ndërhyrje kirurgjikale.
Spitali ka konfirmuar se rastet janë raportuar tek autoritetet e prokurorisë dhe se po bashkëpunon me hetimet përkatëse.
Në qendër të çështjes ndodhet drejtuesi i atëhershëm i klinikës së kirurgjisë kardiake, profesori italian Francesco Maisano, ndaj të cilit ngrihen dyshime lidhur me përdorimin e pajisjes mjekësore “Cardioband”, një implant për riparimin e valvulave të zemrës.
Sipas raportimeve, pajisja është përdorur në disa raste në mënyrë të diskutueshme dhe mund të ketë lidhje me rritjen e numrit të vdekjeve të regjistruara gjatë kësaj periudhe.
Spitali Universitar i Cyrihut ka bërë të ditur se të gjitha incidentet, përfshirë edhe vdekjet e dyshuara dhe përdorimin e pajisjes, janë referuar tashmë tek autoritetet hetimore.






