25.5 C
Tiranë
Monday, August 31, 2026

“Kolagjeni nuk është kurë mrekullibërëse”/ Mjeku britanik rrëzon mitet e suplementeve që premtojnë lëkurë të re dhe pa rrudha

Suplementet e kolagjenit janë kthyer vitet e fundit në një nga produktet më të promovuara në rrjetet sociale dhe industrinë e wellness-it, ku reklamohen si çelësi për një pamje më të re, lëkurë elastike dhe flokë më të fortë. Por sipas mjekut britanik Amir Khan, shumë prej këtyre pretendimeve janë të ekzagjeruara dhe nuk mbështeten plotësisht nga shkenca.

Në një intervistë për emisionin Good Morning Britain, Dr. Khan shpjegoi se kolagjeni është një proteinë që trupi e prodhon natyrshëm dhe që përbën rreth 30 për qind të të gjitha proteinave në organizëm.

“Ndërsa plakemi, prodhimi i kolagjenit ngadalësohet me rreth një për qind në vit pas të njëzetave. Kjo është arsyeja pse industria e mirëqenies e përdor kaq shumë në marketing, sidomos duke synuar gratë”, tha ai.

Mjeku sqaroi se problemi kryesor qëndron tek mënyra sesi organizmi e përpunon kolagjenin e marrë përmes suplementeve.

“Kur merrni një suplement kolagjeni, trupi fillimisht e zbërthen atë në aminoacide në zorrë. Më pas organizmi i përdor këto aminoacide aty ku ka më shumë nevojë, për hormone, enzima apo procese të tjera jetike. Nuk ka asnjë garanci që ato do të përfundojnë në lëkurë apo flokë”, u shpreh Dr. Khan.

Ai iu referua edhe një studimi të vitit 2025, i cili analizoi 23 prova të kontrolluara mbi efektet e kolagjenit. Fillimisht rezultatet sugjeronin përmirësim të hidratimit dhe elasticitetit të lëkurës, por kur nga analiza u përjashtuan studimet e financuara nga industria e kolagjenit, provat për përfitime në lëkurë, flokë dhe thonj rezultuan të paqarta.

Megjithatë, sipas tij, suplementet mund të kenë efekte të kufizuara tek personat me probleme të kyçeve.

“Kolagjeni mund të ndihmojë me dhimbjen dhe funksionin e kyçeve tek njerëzit me artrit, por jo tek ata që kanë kyçe të shëndetshme”, theksoi ai.

Dr. Khan paralajmëroi gjithashtu se shumë persona po mbështeten tek suplementet duke neglizhuar ushqimin cilësor.

“Njerëzit shpesh mendojnë: ‘Do të marr këtë suplement dhe gjithçka do të jetë në rregull’, ndërkohë që harrojnë ushqimet e plota që përmbajnë shumë lëndë ushqyese të rëndësishme”, deklaroi ai.

Sa i përket mënyrave natyrale për të nxitur prodhimin e kolagjenit, mjeku britanik përmendi ushqime si lëkura e pulës, lëngu i kockave dhe xhelatina. Si alternativë për vegjetarianët, ai rekomandoi thjerrëzat, fasulet, si dhe marrjen e mjaftueshme të vitaminës C, zinkut dhe bakrit përmes frutave, perimeve, arrave dhe farave.

Sipas tij, mënyra më efektive për të mbështetur prodhimin e kolagjenit mbetet stili i jetesës.

“Lënia e duhanit, përdorimi i kremit mbrojtës nga dielli, marrja e mjaftueshme e proteinave dhe vitaminës C, si dhe gjumi cilësor, kanë ndikim shumë më të madh sesa suplementet”, tha ai.

Në fund, Dr. Khan theksoi se kolagjeni nuk duhet parë si një “produkt magjik”.

“Nëse prisni që peptidet e kolagjenit të fshijnë rrudhat ose të transformojnë plotësisht pamjen tuaj, shkenca thjesht nuk e mbështet këtë”, përfundoi mjeku britanik.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Sondazhi trondit skenën politike në Serbi, studentët parakalojnë Vuçiçin: 48.5% kundrejt 38.6%

0
Një skenar i ri elektoral në Serbi ka nxjerrë në avantazh lëvizjen studentore, e cila, nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin sipas modelit të...

Vasili për udhëtimin e Berishës drejt SHBA-së: “E gjithë strategjia ‘non grata’ u shemb...

0
Ish-deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës pas njoftimit për udhëtimin e Sali Berishës drejt...

Berisha paralajmëron për reformën territoriale: “PD synon një hartë me 100 bashki”, sulmon qeverinë...

0
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me qytetarët në...

Skafi pësoi defekt dhe u mbush me ujë/ 8 persona rrezikuan të mbyteshin pranë...

0
Një skaf me 8 persona në bord ka rrezikuar të fundosej në ujërat pranë Spillesë, pasi pësoi defekt në motor dhe u mbush me...

Ekzekutohet me armë zjarri 69-vjeçari në Napoli, ishte liruar nga burgu dhe dyshohej si...

0
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mbrëmjen e së dielës, 30 gusht, qytetin e Pimonte, në zonën e Napolit, ku 69-vjeçari Raffaele Afeltra...