21.3 C
Tiranë
Tuesday, July 14, 2026

“Kolagjeni nuk është kurë mrekullibërëse”/ Mjeku britanik rrëzon mitet e suplementeve që premtojnë lëkurë të re dhe pa rrudha

Suplementet e kolagjenit janë kthyer vitet e fundit në një nga produktet më të promovuara në rrjetet sociale dhe industrinë e wellness-it, ku reklamohen si çelësi për një pamje më të re, lëkurë elastike dhe flokë më të fortë. Por sipas mjekut britanik Amir Khan, shumë prej këtyre pretendimeve janë të ekzagjeruara dhe nuk mbështeten plotësisht nga shkenca.

Në një intervistë për emisionin Good Morning Britain, Dr. Khan shpjegoi se kolagjeni është një proteinë që trupi e prodhon natyrshëm dhe që përbën rreth 30 për qind të të gjitha proteinave në organizëm.

“Ndërsa plakemi, prodhimi i kolagjenit ngadalësohet me rreth një për qind në vit pas të njëzetave. Kjo është arsyeja pse industria e mirëqenies e përdor kaq shumë në marketing, sidomos duke synuar gratë”, tha ai.

Mjeku sqaroi se problemi kryesor qëndron tek mënyra sesi organizmi e përpunon kolagjenin e marrë përmes suplementeve.

“Kur merrni një suplement kolagjeni, trupi fillimisht e zbërthen atë në aminoacide në zorrë. Më pas organizmi i përdor këto aminoacide aty ku ka më shumë nevojë, për hormone, enzima apo procese të tjera jetike. Nuk ka asnjë garanci që ato do të përfundojnë në lëkurë apo flokë”, u shpreh Dr. Khan.

Ai iu referua edhe një studimi të vitit 2025, i cili analizoi 23 prova të kontrolluara mbi efektet e kolagjenit. Fillimisht rezultatet sugjeronin përmirësim të hidratimit dhe elasticitetit të lëkurës, por kur nga analiza u përjashtuan studimet e financuara nga industria e kolagjenit, provat për përfitime në lëkurë, flokë dhe thonj rezultuan të paqarta.

Megjithatë, sipas tij, suplementet mund të kenë efekte të kufizuara tek personat me probleme të kyçeve.

“Kolagjeni mund të ndihmojë me dhimbjen dhe funksionin e kyçeve tek njerëzit me artrit, por jo tek ata që kanë kyçe të shëndetshme”, theksoi ai.

Dr. Khan paralajmëroi gjithashtu se shumë persona po mbështeten tek suplementet duke neglizhuar ushqimin cilësor.

“Njerëzit shpesh mendojnë: ‘Do të marr këtë suplement dhe gjithçka do të jetë në rregull’, ndërkohë që harrojnë ushqimet e plota që përmbajnë shumë lëndë ushqyese të rëndësishme”, deklaroi ai.

Sa i përket mënyrave natyrale për të nxitur prodhimin e kolagjenit, mjeku britanik përmendi ushqime si lëkura e pulës, lëngu i kockave dhe xhelatina. Si alternativë për vegjetarianët, ai rekomandoi thjerrëzat, fasulet, si dhe marrjen e mjaftueshme të vitaminës C, zinkut dhe bakrit përmes frutave, perimeve, arrave dhe farave.

Sipas tij, mënyra më efektive për të mbështetur prodhimin e kolagjenit mbetet stili i jetesës.

“Lënia e duhanit, përdorimi i kremit mbrojtës nga dielli, marrja e mjaftueshme e proteinave dhe vitaminës C, si dhe gjumi cilësor, kanë ndikim shumë më të madh sesa suplementet”, tha ai.

Në fund, Dr. Khan theksoi se kolagjeni nuk duhet parë si një “produkt magjik”.

“Nëse prisni që peptidet e kolagjenit të fshijnë rrudhat ose të transformojnë plotësisht pamjen tuaj, shkenca thjesht nuk e mbështet këtë”, përfundoi mjeku britanik.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Horoskopi ditor, e Hënë, 13 Korrik 2026

0
♈ Dashi Energjia juaj është në rritje dhe dita favorizon iniciativat e reja. Një vendim i guximshëm mund të hapë rrugën për zhvillime pozitive. Në...

Parashikimi I motit, e Hënë, 13 Korrik 2026

0
Për 13 korrikun 2026, moti në Shqipëri parashikohet të jetë kryesisht i kthjellët dhe shumë i nxehtë. Vendi do të vijojë të ndikohet nga...

FOTO/ Shkodër, ky është 62-vjeçari i arrestuar për vrasjen e bashkëshortes së tij me...

0
Personi që shihni në foto është Shtjefën Ziçi, 62-vjeçari i arrestuar nga Policia si autor i dyshuar i vrasjes së bashkëshortes së tij në...

FOTO/ Atentati në Kurbin, zbulohet autori i dyshuar që ekzekutoi me shtatë plumba Ilir...

0
Detaje të reja kanë dalë nga atentati i ndodhur në Kurbin, ku mbeti i vrarë 40-vjeçari Ilir Lika. Burime paraprake bëjnë me dije se...

Francë në alarm për të nxehtin ekstrem, 9 departamente kalojnë në nivelin e kuq...

0
Franca po përballet me një valë të fortë të nxehti ekstrem, ndërsa nëntë departamente do të vendosen në nivelin e alarmit të kuq nga...