Detaje të reja janë zbardhur nga një operacion policor në Korçë, ku dy efektivë policie mbetën të përfshirë në një aksident gjatë ndjekjes së një personi të dyshuar për shitblerje lëndësh narkotike, ndërsa njëri prej tyre mbeti i plagosur.
Sipas hetimeve paraprake, policia kishte konstatuar një shtetas që dyshohej se kishte blerë lëndë narkotike nga Vangjush Dushku, i cili punonte në një lokal në fshatin Lumalas.
Gjatë ndjekjes së personit të dyshuar, automjeti i tij është përplasur me makinën e efektivëve të policisë, duke shkaktuar aksidentin ku u përfshinë dy punonjësit e rendit.
Personi i ndjekur është arrestuar në vendngjarje dhe gjatë kontrollit iu gjetën doza lënde narkotike, të cilat dyshohet se i kishte blerë te kamarieri.
Më pas, forca të tjera policore kanë ushtruar kontroll në lokalin ku punonte Dushku, ku janë gjetur sasi të tjera narkotikësh, si në trupin e tij ashtu edhe në ambientet e lokalit. Si pasojë, edhe ai është vënë në pranga.
Ndërkohë, pronari i lokalit është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ambienti përdorej për shitje të lëndëve narkotike.
Efektivi i plagosur është transportuar në spitalin e Tiranës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit të dyshuar dhe rrethanave të operacionit.






