Një fotografi e regjistruar nga kamerat e sigurisë mund të jetë gjurma e fundit e njohur e Eglant Koçit, 34-vjeçarit nga Tirana, i cili rezulton i zhdukur prej disa ditësh, ndërsa hetuesit po ndjekin pistën e një rrëmbimi të lidhur me para digjitale.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se dyshimet kryesore lidhen me një sasi kriptovalutash që 34-vjeçari posedonte në telefonin e tij celular. Kjo pistë po konsiderohet si një nga motivet e mundshme që mund të ketë çuar në rrëmbimin e tij.
Sipas Policisë, si autor i dyshuar është identifikuar dhe shpallur në kërkim Armand Shaka, 41 vjeç. Hetuesit dyshojnë se ai ka mbajtur peng Eglant Koçin, ndërsa po verifikohet nëse ka vepruar i vetëm apo me persona të tjerë.
Nga veprimet hetimore është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, si dhe identifikimi i ambientit ku ai dyshohet se ka hyrë për herë të fundit. Sipas provave të mbledhura deri tani, nga ai ambient ka dalë vetëm autori i dyshuar, i cili mendohet se më pas e ka transportuar Koçin me automjet.
Policia ka ushtruar kontrolle në ambientin ku dyshohet se i riu është mbajtur peng, si dhe në disa zona të tjera, por deri më tani nuk ka mundur ta gjejë atë.
Në kuadër të hetimeve është arrestuar edhe Enea Zyferi, 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar Armand Shakën pas ngjarjes.
Ndërkohë, automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar Eglant Koçi është sekuestruar si provë materiale. Kërkimet për gjetjen e 34-vjeçarit vijojnë intensivisht.
Megjithëse një nga pistat që po hetohet është se Koçi mund të jetë vrarë pas rrëmbimit, autoritetet theksojnë se deri në këtë fazë nuk ka asnjë konfirmim zyrtar, pasi trupi i tij ende nuk është gjetur. Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.





