Gjykata e Lartë ka vendosur të kthejë për rigjykim në Apelin e Posaçëm çështjen që lidhet me tenderin prej 28 milionë eurosh për uniformat e Policisë së Shtetit, duke rihapur një nga dosjet më të bujshme të hetuara nga SPAK.
Në këtë proces janë të pandehur Edlira Naqellari, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Aurora Mulla, Kleivis Hasani, Kreshnik Bejkaj, Gëzim Mingaj, Fatmir Demneri dhe Mariglen Buzali.
Këta persona u shpallën fajtorë në dhjetor të vitit 2021 nga Gjykata e Posaçme për veprat penale “Shkelja e barazisë në tendera” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, ndërsa vendimi u la në fuqi nga Apeli i Posaçëm në shtator të vitit 2022.
Sipas SPAK, zyrtarët e përfshirë kanë favorizuar një prej kompanive pjesëmarrëse në garë përmes ndryshimit të kritereve dhe kushteve të procedurës së prokurimit.
Hetimet kanë nxjerrë në pah se tenderi për “Blerjen dhe shpërndarjen e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, i cili duhej të zhvillohej në tre lote të veçanta, është bashkuar në një procedurë të vetme, veprim që sipas akuzës ka ndikuar në cenimin e konkurrencës.
Me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, dosja do të shqyrtohet sërish nga Apeli i Posaçëm, i cili pritet të rivlerësojë të gjitha pretendimet dhe provat e paraqitura në proces.





