Ish-aktori i humorit në Portokalli, Rezart Veleshnja, rezulton të jetë marrë i pandehur për veprën penale të “Mashtrimit”, pas një hetimi që lidhet me një automjet tip “Mitsubishi Pajero”, i cili dyshohet se është marrë nga pronari dhe më pas është shitur pa autorizim.
Sipas dosjes hetimore, kallëzimi është bërë më 12 dhjetor 2024 nga 45-vjeçari Ylli Troplini, i cili pretendon se ia kishte dhënë automjetin Veleshnjës për përdorim të përkohshëm, pasi ky i fundit i kishte treguar se kishte nënën e sëmurë dhe i nevojitej mjeti për ta shoqëruar në spital.
“…për këtë arsye unë ia kam dhënë edhe mjetin…”, ka deklaruar Troplini në kallëzimin e tij.
Sipas tij, automjeti nuk iu kthye më dhe më vonë mësoi se ishte shitur tek një person në zonën e Linzës në Tiranë.
Dosja përmban edhe dëshmitë e disa personave që pretendojnë se kanë qenë të pranishëm kur Veleshnja kërkoi automjetin. Ata kanë deklaruar se i kishin sugjeruar Troplinit të tregonte kujdes dhe të mos ia jepte mjetin aktorit, por ky i fundit ishte bindur nga situata familjare që i ishte paraqitur.
Njëri prej dëshmitarëve ka deklaruar se më vonë kishte dëgjuar vetë Troplinin duke i kërkuar Veleshnjës kthimin e automjetit, ndërsa sipas tij aktori kishte pranuar se:
“…e kishte shitur por nuk i tregonte se ku…”
Nga ana tjetër, Rezart Veleshnja ka mohuar akuzat, duke pretenduar se automjeti i ishte dhënë si kompensim për promovimin e një pijeje energjike në rrjetet sociale.
“…makinën e vjetër do t’ia dhuronte atij në këmbim të pagesës për reklamën dhe imazhin e pijes që ai ka bërë…”, ka deklaruar Veleshnja gjatë marrjes në pyetje.
Ai ka pranuar se më pas e ka shitur automjetin, duke pretenduar se e bëri për arsye familjare dhe shëndetësore.
Hetimet kanë zbuluar se automjeti ishte regjistruar në emër të Ylli Troplinit në prill të vitit 2024. Prokuroria urdhëroi sekuestrimin e mjetit, por deri tani ai nuk është gjetur, ndërsa rezulton i shpallur në kërkim.
Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Durrësit ka dërguar çështjen për gjykim. Seanca e radhës ndaj Veleshnjës është planifikuar të zhvillohet më 30 qershor 2026.
Kujtesë ligjore: Çdo person konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.





