Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, ka reaguar në lidhje me klimën e debatit publik që ka shoqëruar protestat e fundit në vend, duke bërë thirrje për shmangien e gjuhës së urrejtjes dhe respektimin e standardeve të komunikimit demokratik.
Përmes një reagimi publik, Kushi u shpreh se gjatë ditëve të fundit është vënë re një gjuhë e papranueshme në rrjetet sociale dhe në hapësirën publike, duke theksuar se pakënaqësia qytetare nuk mund të shërbejë si justifikim për fyerje apo sulme personale.
“Gjatë këtyre ditëve të gjithë jemi dëshmitarë të një gjuhe urrejtjeje të jashtëzakonshme në rrjetet sociale dhe hapësirën publike. Kam reaguar edhe më parë për këtë fenomen dhe ndjej detyrimin ta përsëris. Respektoj të drejtën e çdo qytetari për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë e tij. Protesta është një e drejtë demokratike dhe zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet. Por pakënaqësia nuk mund të justifikojë gjuhën e urrejtjes, fyerjet, mallkimet dhe sulmet personale”, deklaroi ajo.
Deputetja socialiste shtoi se demokracia ndërtohet mbi argumentin dhe respektin reciprok, jo mbi përçarjen dhe konfliktin.
“Demokracia forcohet nga argumenti dhe respekti, jo nga përçarja. Le të mos u mësojmë fëmijëve tanë se fiton ai që bërtet më fort apo fyen më rëndë, por t’u tregojmë se fiton respekti, dialogu dhe qytetaria”, u shpreh Kushi.
Duke komentuar protestat që po zhvillohen prej javësh, ajo vlerësoi të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por theksoi se Shqipëria ka nevojë për stabilitet, bashkëpunim dhe vijimësi të reformave.
“Është e vërtetë që sot ka shumë protestues në shesh, por ka akoma më shumë qytetarë të tjerë në shtëpitë e tyre apo në diasporë që duan ta shohin Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian. Sfidat e vendit nuk zgjidhen me përçarje, por me bashkëpunim, këmbëngulje dhe përgjegjësi”, tha ajo.
Në përfundim, Kushi theksoi se e ardhmja e vendit kërkon dialog dhe funksionim të institucioneve.
“Shqipëria ka nevojë për stabilitet, për institucione që funksionojnë, për vazhdimësi në reformat e nisura dhe dialog mes palëve sa herë që lindin paqartësi apo pakënaqësi. Shqipëria fiton jo kur thellohen ndarjet, por kur jemi bashkë dhe e duam njëri-tjetrin”, përfundoi deputetja socialiste.





