Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me protestat që po zhvillohen në Tiranë, kësaj radhe duke komentuar një debat në rrjetet sociale mes hoxhës Mustafa Tërniqi dhe njërit prej organizatorëve të protestës, Arben Kola.
Përmes një komenti në Instagram, Rama ka marrë shkas nga një reagim i hoxhës ndaj Kolës për të përsëritur kritikat e tij ndaj organizatorëve të protestës, ndërsa i është drejtuar edhe vetë klerikut mysliman.
“Po ti për llogari të kujt je futur në protestë, se vendi yt është në xhami?! Mos bëj punën e shejtanit duke futur xixa mes shqiptarëve”, mësohet të ketë shkruar kryeministri në reagimin e tij.
Duke iu referuar Arben Kolës, Rama ka deklaruar se e kishte paralajmëruar më herët opinionin publik për figurat që, sipas tij, qëndrojnë pas protestave, ndërsa ka përdorur edhe termin “hero i flamingove” për një nga organizatorët e lëvizjes.
Reagimi i kreut të qeverisë vjen në një moment kur protestat kanë hyrë në javën e katërt dhe debati politik mes mazhorancës dhe organizatorëve të tyre është intensifikuar.
Ndërkohë, komentet e Ramës ndaj hoxhës Mustafa Tërniqi kanë ngjallur reagime në rrjetet sociale, pasi kryeministri e ka akuzuar atë se po kontribuon në krijimin e ndasive mes qytetarëve.
Polemikat e fundit tregojnë se përplasja mes qeverisë dhe figurave të përfshira në protestat qytetare po zhvendoset gjithnjë e më shumë edhe në rrjetet sociale, ku deklaratat dhe kundërdeklaratat kanë shtuar tensionin e debatit publik.





