Një grup i vogël protestuesish kanë vijuar qëndresën e tyre përpara godinës së Kryeministrisë, duke e kaluar natën në bulevard. Të ulur në karrige metalike nën hijen e pemëve, ata kanë qëndruar në zonë edhe pas përfundimit të protestës së mbrëmjes.
Ndryshe nga netët e mëparshme, këtë herë protestuesit nuk kanë bllokuar bulevardin, ndërsa qarkullimi i automjeteve ka vijuar normalisht gjatë gjithë natës.
Organizatorët kanë përsëritur thirrjen që, pas përfundimit të fjalimeve, çdo qytetar që dëshiron mund të vazhdojë qëndrimin përpara Kryeministrisë si formë proteste dhe rezistence qytetare.
Gjatë protestës së fundit u ritheksuan pesë kërkesat e paraqitura më herët nga Dritan Goxhaj. Sipas Luçiana Kokës, këto kërkesa përfaqësojnë qëndrimin e grupit koordinues të protestës, i cili sipas saj përbëhet nga rreth 40 persona, ndërsa lëvizja vazhdon të deklarojë se nuk ka një lider të vetëm.





