Një polic italian ka humbur jetën në Milano gjatë një ndjekjeje me shpejtësi të lartë të një automjeti që ishte larguar nga një postbllok policor.
Viktima është identifikuar si 39-vjeçari Francesco Imprezzabile, i cili po ndiqte me motor shërbimi një Audi Q8 kur u rrëzua dhe më pas ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Në lidhje me ngjarjen është arrestuar 25-vjeçari shqiptar Genti Berisha, i cili ka pranuar se ishte në timon dhe se ishte larguar nga kontrolli policor.
“Kisha pak hashash me vete dhe, meqenëse më kërkohet të regjistrohem, kur më thanë të ndalem, ika me vrap. Nuk doja të krijoja telashe”, ka deklaruar ai para hetuesve.
Megjithatë, Berisha ka mohuar se ka goditur motorin e policisë gjatë ndjekjes.
“Nuk e preka dhe nuk e pashë të binte”, mësohet të ketë thënë ai, duke shtuar se për vdekjen e oficerit ka mësuar më vonë përmes lajmeve në internet.
“I kërkoj falje familjes dhe shtetit italian. Pyes veten nëse mund të bëj diçka për ta”, ka shtuar ai.
Sipas “Corriere della Sera”, 25-vjeçari kishte qenë më herët i arrestuar në Shqipëri si pjesë e hetimit “Icaro” të prokurorisë së Brescias, që lidhej me një rrjet trafikimi droge me lidhje ndërkombëtare.





